Futboll

Asllani shkëlqen sërish me Interin, shënon golin e barazimit

Gazeta Si – Një e majtë potente në zonë dhe topi në rrjetë. Kristjan Asllani shënon përsëri për Interin, duke vërtetuar se klubi italian ka bërë një blerje të goditur. Goli i dytë në po kaq ndeshje për futbollistin shqiptar.

Mesfushori po tregon personalitet edhe me fanellën e Interit, duke hedhur kandidaturën për të luajtur në formacion edhe në kampionat. Aventura zikaltër e Asllanit ka nisur në mënyrën më të mirë.

Kristjan Asllani, mesfushori i Interit. Gazeta Si, 11 korrik 2022

Interi ka barazuar 2-2 në testin e dytë veror ndaj Monakosë. Skuadra e trajnerit Simone Inzagi luajti me fragmente, ndërsa ai që shkëlqeu sërish ishte Kristjan Asllani.

Mesfushori shqiptar konfirmoi nivelin që tregoi në ndeshjen e parë me fanellën e Interit, atë ndaj Luganos. Asllani realizoi golin e barazimit për zikaltrit. Për Interin shënoi edhe Galjardini, kurse për Monakonë Golovin dhe Ben Jader.

Asllani e nisi ndeshjen si titullar në mesfushë, bashkë me Galjardinin dhe MKhitarjan. Bëri përsëri një lojë shumë të mirë, duke bindur trajnerin dhe tifozët. Firmën e rezultatit final nuk e vunë sulmuesit Lukaku dhe Lautaro Martinez, por lojtari I Kombëtares kuqezi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë