Gazeta Si – Deklarata e Kristjan Asllanit nga Tirana ka marrë vëmendje edhe në Itali. Mesfushori shqiptar ka thënë pas fitores 2-0 ndaj Moldavisë se nuk lëviz nga Interi, pavarësisht se sezonin e fundit nuk pati minutazhin që parashikohej.
“Të huazohem në një skuadër tjetër? Jo. Këtë vit jam rritur tek Interi, nuk ka asnjë mundësi që të largohem nga kjo skuadër”, – është shprehur futbollisti shqiptar. Asllani u aktivizua në pjesën e dytë ndaj Moldavisë dhe tani pret një shans për të qenë titullar në Ishujt Faroe.

Edhe tek Interi në fakt nuk duan që Asllani të shitet apo huazohet, ata presin që lojtari të marrë më shumë minuta sezonin e ardhshëm. Gjatë 2022-23-shit Asllani numëron 29 ndeshje, mes kampionatit, Ligës së Kampionëve dhe Kupës së Italisë, por ai ka qenë në fushë vetëm 859 minuta.
Janë pak për një lojtarë të datëlindjes 2002, që duhej të konfirmonte pjesën brilante të sezonit 2021-22 me Empolin. “Ishte një vit me emocione të mëdha, që nuk do t’i harroj. Faleminderit të gjithëve për këtë udhëtim të pabesueshëm”, – shkruante mesfushori në Instagram pas humbjes në finalen e Championsit ndaj Mançester Sitit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




