Gazeta Si – Menjëherë ka treguar çfarë është në gjendje të bëjë. Kristjan Asllani ka magjepsur Interin dhe popullin zikaltër, ndërsa shtypi italian shkruan çdo ditë për të, duke e ngritur në qiell.
“Gazzetta dello Sport” nuk i kursen elozhet në artikullin e fundit. Nëse atë gol të parë me fanellën zikaltër do ta shënonte në “San Siro”, ulërima e tifozëve do të dëgjohej në gjithë qytetin.

Është futbolli i verës dhe kundërshtarët janë të lehtë, por disa gjëra duhet të dish t’i bësh. Disa gjeste teknike duhet të jesh në gjendje t’i riprodhosh ën fushë pa frikë dhe me atë natyralitetin tipik të një lojtari që e ka të shkruar fatin për t’u bërë i madh.
Kristjan Asllani u prezantua me shokët e skuadrës me një ‘kartëvizitë’ të bukur. Një gol kryevepër, që për pak minuta u bë më i klikuari në ueb. Në miqësoren me Milanezen ai rrëmbeu duartrokitjet e shokëve të skuadrës, kundërshtarëve dhe i fali një buzëqeshje Simone Inzagit.
Një gjë që duhet parë dhe riparë në shkollat e futbollit, si një shembull perfekt i “presionit lart” dhe “teknikës bazë”. Kristjani bllokoi një top në hyrje të zonës kundërshtare, e përkëdheli atë me kofshë, e kontrolloi mirë, kaloi mbrojtësin e fundit dhe tundi rrjetën.
E gjitha kjo me një natyralitet befasues, sikur të ishte gjëja më e thjeshtë për t’u bërë në një fushë futbolli. Ai po magjeps Interin dhe Inzagin si zëvendësues i Marselo Brozoviç.
Thjeshtësia dhe personaliteti janë dy tiparet që Asllani shfaqi në pjesën e dytë të sezon it të kaluar. Empoli vendosi të sakrifikonte Samuele Riçin për t’i dhënë hapësirë ‘djaloshit të tmerrshëm’ të rritur në fidanishten e tij.

Deri pak muaj më parë ndihmonte skuadrën e të rinjve, ku ka fituar një titull. Rritja e tij në muajt e fundit ka qenë e jashtëzakonshme edhe falë trajnerit Aurelio Andreacoli, i cili pati kurajë t’i besonte çelësat e mesfushës së Empolit. Ai ishte i bindur në potencialin e lojtarit shqiptar.
Kualitet dhe rezistencë fizike, pikërisht si një Brozoviç i vogël. Për këtë arsye Interi vendosi të investonte tek Asllani 14 milionë euro. Një blerje e mençur më shumë se një bast, sepse për të ardhmen e Asllanit pakkush mund të ketë dyshime.
Në Pinetina janë të gjithë të çmendur pas Kristjan Asllanit, i aftë për intriguar edhe Inzagin. Ëndrra e mesfushorit ka qenë gjithmonë të veshë fanellën e Interit, që kur mbërriti në Itali nga Shqipëria.
Në ndeshjen e parë me fanellën luajti trekuartist, pak metra përpara pozicionit natyral. Mund të mbulojë disa role dhe trajneri Inzagi mund të rrijë i qetë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




