Futboll

Asllani kërkon hapësirë, nga leksionet e Çalhanoglu te projektet e Inzagit

Gazeta Si – Pavarësisht aktivizimit të paktë, Kristjan Asllani, mesfushori i Kombëtares shqiptare, është një emër i rëndësishëm në Serinë A. Vazhdimisht shtypi sportiv italian dhe jo vetëm shkruan për të. Së fundi ‘La Gazzetta Dello Sport’ i ka kushtuar një tjetër artikull, që ka të bëjë me hapësirën më të madhe që meriton lojtari shqiptar.

‘Asllani kërkon hapësirë, nga leksionet e Çalhanoglu te projektet e Inzagit’, - është titulli i artikullit, ku evidentohet rritja e Asllanit, i cili ishte iniciatori i golit që solli fitoren e Interit ndaj Romës. Artikulli i plotë për mesfushorin kuqezi është ky:

Nga Roma te Roma, Kristjan Asllani mbyll qarkun dhe tenton rinisjen. Protagonist negativ në sfidën ndaj Romës vitin e kaluar, që u fitua nga skuadra e Mourinjos, në këtë të fundit shqiptari ‘mori hak’ me një çerekorësh brilant, plus shtesat, duke kontribuuar në fitoren zikaltër.

Me kokën lart dha atë top të gjatë për Dimarkon, që krosoi dhe pastaj Turam shënoi. Asllani frymëzoi kështu aksionin që i dha oksigjen Interit pas 81 minutash sulme me kokën ulur. Lojtari shpërbleu besimin që trajneri Inzagi i ka konfirmuar pas një viti jo të mirë në Milano, me ulje-ngritje. “Asllani po rritet dhe duhet të ketë durim, por është shumë i fortë dhe ka shumë kualitet”, - tha Çalhanoglu pas ndeshjes së fundit.

Komplimentet për shqiptarin erdhën edhe nga trajneri Inzagi, i cili vuri në dukje progresin e mesfushorit, që e aktivizoi në një ndeshje delikate akoma të pazgjidhur.

Vendimi për të aktivizuar Asllanin në vend të Çalhanoglu në sulmin final tregon qartë besimin e trajnerit, të cilit nuk i ka shpëtuar rritja e shqiptarit. Këmbët e Kristjanit nuk u drodhën, ndryshe nga një vit më parë në 77 minutat e para si titullar me fanellën zikaltër. Atëherë shkoi keq dhe Inzagi vendosi të spostonte Çalhanoglu në qendër, në vendin e Brozoviç. Këtë herë, edhe pse vetëm për 20 minuta, përgjigja ishte krejt ndryshe.

“Jam i kënaqur, - tha Asllani pas ndeshjes. – Dua të ndihem më shumë protagonist dhe të punoj fort. Trajneri po më jep besim dhe në ndeshje kaq të rëndësishme dhe e falënderoj”. Pak më shumë se një muaj më parë, në prag të debutimit sezonal në Champions, Inzagi shpjegonte se Asllani ishte një “lojtar i rëndësishëm dhe gati për të qenë titullar”. Ndaj Romës trajneri ka marrë të tjera përgjigje të rëndësishme.

“Të mësoj nga një kampion si Çalhanoglu është një privilegj, më jep një ndihmë të madhe”,- ka thënë Asllani. Po, sepse Inzagi ka vendosur ta modelojë në rolin e regjisorit, duke e bërë të ‘studiojë’ nga dikush që ka marrë çelësat e mesfushës. Asllani po përpiqet të mësojë çdo sekret. Nga trajneri te drejtuesit, tek Interi kanë bindjen se Asllani mund të bëhet një pikë kyçe në mesfushë nëpërmjet një rrugëtimi rritjeje.

Ndeshjet në krahasim me sezonine kaluar janë po ato, mes kampionatit dhe Championsit, por Asllani deri tani ka pasur më shumë hapësirë në Europë. Ka luajtur 75 minuta në 3 ndeshjet e para në grup, kundër 15 të sezonit të shkuar. Deri tani, e vetmja herë që ka stonuar është ajo në San Sebastian, ku gjithë skuadra në fakt përjetoi një mbrëmje të komplikuar.

Objektivi minimal është që të shtojë minutazhin në raport me 858 minutat në total të një viti më parë. Me këtë ritëm nuk do ta ketë problem. Nëse Asllani do të jetë ai i fundit të ndeshjes me Romën, me siguri do ta shohë fushën më shpesh dhe më shumë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë