Futboll

Asllani fiton një fanellë titullari edhe ndaj Barcelonës në Champions

Gazeta Si – Asllani dhe Dimarko ishin ndër vetmet gjëra pozitive për Interin në ndeshjen me Romën, ku skuadra zikaltër humbi 1-2. Mesfushori shqiptar luajti ndeshjen e parë si titullar dhe bëri një paraqitje pozitive, sipas shtypit italian dhe specialistëve.

Asllani pritet të ketë një fanellë titullari edhe në Ligën e Kampionëve ndaj Barcelonës. Lojtari i Kombëtares shqiptare është në formë të mirë dhe të martën në mbrëmje do të ketë fatin të luajë në skenën më të madhe të futbollit europian ndaj një emri të madh si Barcelona.

Formacionet e mundshme të Inter-Barcelona. Gazeta Si, 3 tetor 2022

Trajneri Simone Inzagi e ka llogaritur titullar, të paktën deri tani. Mesfushori 20-vjeçar do të pozicionohet në qendër, në mes të Barelës dhe Çalhanoglu. Duke luajtur sa më shumë, Asllani do të ketë mundësinë të rritet. Emocionet kanë ikur dhe tani lojtari kuqezi shpreson të bëhet faktor për skuadrën e tij.

Elbasanasi do të përpiqet ta shfrytëzojë në maksimum mungesën e Brozoviçit, duke lenë shenjën e tij me fanellën zikaltër. Në dyshim për ndeshjen e së martës është sulmuesi Lautaro Martinez, ndërsa në mbrojtje kthehet De Vrij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë