Gazeta Si – Barazim që shijon si fitore për Interin. Kristjan Asllani me shokë shkuan në pushimin e ndeshjes me Benfikën në humbje 3-0, ndërsa në pjesën e dytë arritën të barazonin shifrat në 3-3. Të 3 golat për portugezët u shënuan nga Zhoao Mario, ish-lojtar i Interit, për zikaltrit realizuan Arnautoviç, Fratezi dhe Aleksis Sançez me penallti.

Asllani luajti titullar dhe qëndroi në fushë deri në fund, çka tregon se besimi i trajnerit Inzagi ndaj tij është rritur. Megjithatë, paraqitja e futbollisti kuqezi nuk ishte ndër më të mirat. Shtypi italian e ka vlerësuar me notën 5.5, pasi gaboi në rastin e golit të dytë të pësuar nga skuadra e tij.
Interi vazhdon të kryesojë grupin bashkë me spanjollët e Real Sociedad, që gjithashtu barazuan ndaj Salcburgut. Në ndeshjen e sotme pritej rotacion tek skuadra italiane dhe kështu ndodhi. Për vendin e parë i duhet fitorja në ndeshjen e fundit në grup.
Real Madrid fitoi 4-2 ndaj Napolit, duke vazhduar rrugëtimin e tij me pikë të plota. Skuadra e Ançelotit pësoi gol që në fillim, teksa Simeone e kaloi Napolin në avantazh, por më pas realizoi 4 gola me autorë Rodrigo, Belingham, Paz dhe Joselu.
Mançester Junajtid nuk mundi të merrte më shumë se një pikë në fushën e Gallatasarajit, edhe pse kryesonte 1-3. ‘Djajtë e kuq’ u barazuan në 3-3 dhe mbeten në vend të fundit të Grupit A, por janë në lojë për kualifikimin, që do të vendoset në ndeshjen e fundit.
Bie në sy nga rezultatet e sotme fitorja tenistike e Arsenalit, 6-0, ndaj Lens, si dhe barazimi pa gola i Bajern Mynih ndaj danezëve të Kopenhagen.
Champions, ndeshjet e parafundit në grupe
Sot
Gallatasaraj-Mançester J. 3-3
Sevilja-PSV 2-3
Asenal-Lens 6-0
Bajern Munih-Kopenhagen 0-0
Benfika-Inter 3-3
Braga-Union Berlin 1-1
Real Madrid-Napoli 4-2
Real Sociedad-Salcburg 0-0
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.