Shendet

‘Askush nuk është i mbrojtur nga belbëzimi’- Pse po shtohen rastet ?!

Ekspertët e shëndetit mendor dhe të të folurit pohojnë se po shtohen gjithnjë e më shumë rastet e personave që nisin të belbëzojnë gjatë jetës. Belbëzimi është një problem që vjen me lindjen ose mund të jetë gjenetik, por ndërkohë ka shumë persona që fillojnë të belbëzojnë gjatë jetës, në një moment të caktuar. Sipas Shoqatës Amerikane të Folurit, Gjuhës dhe Dëgjimit, 2% e personave nga mosha 3-17 nisin të belbëzojnë.

“Në klinikë ne vëmë re një shtim të numrit të personave që kërkojnë shërbim logopedik, me arsye belbëzimin. Mosha është kryesisht mbi 8 vjeç”, thotë Silvana Gjoni, logopede. Ajo tregon se kjo mund të jetë për shkak të sensibilizimit, por edhe për faktin se tashmë njerëzit po i japin vëmendjen e duhur problemeve me të folurin.

Ajo shton se rastet më së shumti lidhen me komponentin emocional dhe për trajtimin kërkohet dhe duhet edhe ndihma e psikologut.

“Përpos kësaj, edhe faktorin trashëgues e kemi pasur të pranishëm në një numër të lartë të rasteve që kemi trajtuar”, thotë logopedja.

Logopede Silvana Gjoni, Gazeta “Si”, 27 nentor, 2021

Shpesh belbëzimi vjen si pasojë e një traume që ndodh në jetën e personit dhe me këtë specialistët “u referohen edhe ndryshimeve që në dukje për ne nuk janë dhe aq traumatike”, si për shembull, ndërrimi i shkollës, ndërrimi i vendbanimit, deri tek ato me impakt goxha të lartë si: ndarja nga jeta e një personi të dashur, ngjarje traumatike në shkollë/punë.

Gjoni thotë se të gjitha këto ngjarje mund të ndikojnë që fëmija apo edhe një i rritur të fillojë belbëzimin dhe kjo tregon se “asnjë prej nesh nuk është ‘i mbrojtur’ nga belbëzimi”.

Belbëzimi trajtohet nga psikologu (trajton shkakun emocional) dhe logopedisti (trajton problematikën në vetvete).

Ka shumë mënyra dhe teknika, me të cilat personi pajiset  për të menaxhuar belbëzimin, si për shembull: frymëmarrja para se të flasë, ushtrimet e frymëmarrjes, teknika çliruese të nervozizmit që shkakton belbëzimi, e folura para pasqyrës, zgjatja e fjalës etj.

“Të gjitha këto përshtaten në varësi të rastit me të cilin kemi të bëjmë, duke i sugjeruar ato që janë të përshtatshme specifikisht për të”.

Çrregullimet e rrjedhshmërisë së të folurit (belbëzimi) përbëjnë një prej çrregullimeve më të hershme të dokumentuara në lidhje me të folurin. Megjithëse ka teori të ndryshme për etiologjinë e belbëzimit (si ato që i japin fokus gjenetikës, psikologjisë, sistemit linguistik etj ) ende nuk ka një faktor të vërtetuar dhe të pranuar si shkak që gjeneron këtë problem në të folur.

“Në gjuhën e përditshme ne i referohemi të gjithë gamës së çrregullimeve të rrjedhshmërisë me termin “belbëzim”, por nga ana shkencore kemi një kategorizim (bazuar kryesisht në simptomat, origjinën, historinë klinike etj)”, thotë për Gazetasi.al Fitim Kadrija, logoped.

Logoped Fitim kadrija, Gazeta “Si”, 26 nentor, 2021

Kadrija tregon se, pavarësisht se shumë më vonë se në vendet perëndimore, edhe në vendin tonë ka filluar trajtimi i belbëzimit prej disa vitesh me daljen e profesionistëve të parë të Logopedisë apo dhe të Psikologjisë. Ky realitet është i prekshëm tashmë dhe “janë të shumtë personat që kanë përfituar dhe përfitojnë”. “Rezultate mjaft të mira janë arritur e në individë të caktuar kemi pasur edhe zhdukje përfundimtare të belbëzimit”, thotë Kadrija.

Logopedi shpjegon për Gazetasi.al se ndarja më e qartë bëhet në “belbëzim zhvillimor” dhe “belbëzim neurologjik”; i cili vjen nga një shkak i njohur, një dëmtim neurologjik (dëmtim i parikuperueshëm në një segment të sistemit nervor).

“Belbëzimi neurologjik” ka një qëndrueshmëri në simptomatologji. Progresi e karakteristikat e tjera të të folurit janë të kufizuara nga ky dëmtim fizik dhe terapia është e ndryshme nga “belbëzimi zhvillimor”. Në kontrast me “belbëzimin neurologjik”, “belbëzimi zhvillimor” varion dhe nuk ka qëndrueshmëri, një person me këtë lloj belbëzimi ka periudha kur është plotësisht i rrjedhshëm por ka edhe periudha që nuk mundet të artikulojë edhe emrin e tij. Përveç kategorizimit të mësipërm edhe brenda “belbëzimit zhvillimor” kemi variacione midis individëve dhe nënkategori që mund ti dallojë vetëm një profesionist i fushës. Belbëzimi është fazë normale e zhvillimit të gjuhës gjatë moshës tre vjeç e gjysëm deri në muajt e parë të vitit të katërt, ku kërkesës së lartë të ambjentit nuk i përgjigjet dot aparati i të folurit në zhvillim i fëmijës. Është momenti kur kësaj sjellje thjesht fizike i kalon kohëzgjatja normale dhe i bashkëshoqërohen edhe ato që ne profesionistët i quajmë sjellje dytësore ( tension fizik, kontraktim i muskujve të fytit dhe fytyrës, pulitja e qepallave të syve, dridhje e buzëve etj).

“Ky është momenti kur kemi të bëjmë me atë që të gjithë e njohim si belbëzim dhe konsiderohet patologjik”, thotë Kadrija i cili shton se më vonë, me rritjen e ndërgjegjshmërisë së individit dhe ndjeshmërisë bashkë me të, shtohet dhe faktori psikologjik.

“Janë situatat dhe eksperiencat e këqija të akumuluara në subkoshiencë që shtojnë dhe faktorin psikologjik për të plotësuar tablonë”. Pra, krijohet një sistem vetëstimulues i përbërë nga faktorë gjuhësorë, emocional, psikologjik e fiziologjik së bashku me perceptimet e besimet e individit, një sistem që mban gjallë vetveten siç e përkufizon dhe “John Harrison” ( studiues, aktivist në shoqatat e belbëzimit në SHBA, person që e ka kaluar vetë belbëzimin dhe ka arritur të lirohet prej tij) në librin e tij “Redefining Stuttering”.

Megjithëse tabloja e mësipërme përkufizon masën më të gjerë të personave që belbëzojnë, ka variacione si në simptomatologji dhe në moshën e fillimit, “ku nuk janë të rralla rastet e shfaqjes së belbëzimit në moshat e mëvonshme, me fillim në moshën 9-10 vjeç apo edhe në adoleshencë”. Kadrija thotë se shpesh kulminacioni është në adoleshencë për shkak të presionit më të madh shoqëror dhe ndjeshmërisë e vulnerabilitetit që karakterizon këtë moshë.

“Ndodh që frika nga belbëzimi kalon në “fobi” dhe individi që belbëzon mund të shmangë totalisht komunikimin verbal në situata të caktuara apo mund të bllokohet për disa sekonda përpara se të mund të nxjerrë edhe një fjalë të vetme”.

Sipas studimeve, meshkujt janë më të predispozuar se femrat që të preken nga ky çrregullim. Ajo që është pozitive, është fakti se prej gati më shumë se një gjysmë dekade ka teknika të ndryshme për trajtimin e këtij problemi edhe në Shqipëri, ndonëse në botë kërkimet dhe terapitë rreth belbëzimit kanë filluar që në shekullin e 18-të.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë