Ka ndodhur

Asgjësohen më shumë se 9 mijë bimë narkotike në Shkodër, në kërkim 52-vjeçari (video)

Gazeta Si – Më shumë se 9 mijë bimë narkotike janë asgjësuar në Shkodër pas kontrolleve intensive në kuadër të operacionit antikanabis të koduar “Koordinata”.

Policia njofton se ka asgjësuar në total 9317 bimë të dyshuara narkotike, të llojit Cannabis Sativa, të mbjella në zona të ndryshme të qarkut.

Gjatë aksionit, u shpall në kërkim një 52-vjeçar, i identifikuar si A.H., i cili dyshohet se kishte kultivuar 46 bimë narkotike në banesën e tij, në fshatin Kamicë.

Ndërkohë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, është proceduar penalisht kryetari i fshatit Ndrejaj, shtetasi N. V.

Operacioni zbuloi kulmin e kultivimeve në disa njësitë administrative: në Shosh e Pult, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan 4,403 bimë; në Shllak e Temal, Komisariati i Vau i Dejës asgjësoi 4,547 bimë; në Kastrat e Qendër, në bashkëpunim me DVKM Shkodër, u sekuestruan dhe u shkatërruan 347 bimë; ndërsa në njësinë administrative Fierzë, Komisariati i Pukës asgjësoi 20 bimë.

Policia njofton se operacioni “Koordinata” vijon me intensitet në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë