Nga Gazeta ‘SI’ – Agjencia e Sigurimit të Depozitave, ASD, po konsideron rritjen e vlerës së depozitave të siguruara në banka dhe subjekte të tjera financiare.
Gjatë raportimit përballë deputetëve në komisionin e Ekonomisë dhe, zv.drejtori i ASD, Martin Blushi, tha se agjencia po vlerëson rritjen e kufirit deri në 10 milionë lekë, nga 2.5 mln lekë që është momentalisht.
Drafti përkatës, tha ai, pritet të paraqitet brenda fundit të vitit 2026.
“Objektivi afatmesëm është rritja e këtij niveli në mënyrë të kujdesshme dhe të qëndrueshme. Sipas projeksioneve, kufiri i mbulimit parashikohet të rritet gradualisht në 6 milionë lekë në vitin 2027, për të arritur në 10 milionë lekë në vitin 2030”, tha Blushi.
Nëse kufiri i mbulimit do të rritej në 6 milionë lekë, theksoi ai, përqindja e depozituesve të mbuluar do të arrinte në 98%, një nivel që konsiderohet optimal për të garantuar sigurinë financiare të individëve dhe besimin në sistem.
Sipas të dhënave zyrtare, totali i depozitave në sistemin bankar në fund të vitit arriti në 1683 miliardë lekë, duke shënuar një rritje vjetore prej 4.9%, ndërsa depozitat e sigurueshme u rritën me 5.2%, duke arritur në 1590,2 miliardë lekë, që përfaqësojnë 94.5% të totalit të depozitave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



