Kombetarja

Asani u kërkua me ngulm nga Maqedonia e Veriut, ai zgjodhi me zemër Shqipërinë

Gazeta Si – Jasir Asani, i zgjedhur nga trajneri Silvinjo që në grumbullimin e parë në krye të kuqezinjve, madje edhe titullar në dy ndeshjet e deritanishme, mund të lante sot për Maqedoninë e Veriut. E ka zbuluar këtë fakt trajneri aktual i skuadrës fqinje, Bllagoja Milevski.

“Jasir Asani ka pasur gjithmonë kualitet për të luajtur me kombëtaren, i ofruam gjithçka për të luajtur për Maqedoninë e Veriut. Ai ka luajtur për U-21 të Maqedonisë së Veriut, por për më pas ishte vendim i tij. Jasirit i dëshiroj çdo të mirë dhe suksese me përfaqësuesen që ka zgjedhur”, – u shpreh Milevski. Ai e donte me ngulm në skuadër, por ka lënë gjithçka në dorën e lojtarit për të zgjedhur, pa dashur të krijojë polemika.

Jasir Asani pershendet tifozet e Kombetares pas fitores me Moldavine. Gazeta Si, 19 qershor 2023

Futbollisti i lindur në Shkup ka spikatur në kampionatin shqiptar me fanellën e Partizanit. Ai është 28 vjeç, por duhej të vinte Silvinjo në krye të Kombëtares shqiptare që të vishej kuqezi. Trajneri brazilian pëlqen shumë aftësitë teknike të sulmuesit anësor, që tashmë ka zënë vend në formacionin e Shqipërisë.

Asani ka shënuar tashmë edhe golin e parë me fanellën kuqezi. Ai realizoi golin e parë ndaj Moldavisë me një gjuajtje fantastike me të majtën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë