Politike

Asambleja e PPE rezolutë për Shqipërinë: Kuvendi të intensifikojë mbështetjen për Reformën Zgjedhore!

Nga Gazeta 'Si'-Partitë Popullore Europiane(EPP) kanë miratuar sot një rezolutë, të propozuar nga Partia Demokratike, për gjendjen aktuale të Shqipërisë, prag zgjedhjeve parlamentare të 2025.

Në rezolutë, theksohen lidhjet ndërmjet trafikut të drogës dhe krimit të organizuar me elitën politike dhe me zyrtarët e zbatimit të ligjit, duke shfrytëzuar ekonominë dhe kuadrin politik të Shqipërisë për pastrimin e parave.

Asambleja Politike e PPE, shpreh shqetësimin dhe për dështimin për të arritur një marrëveshje për reformën zgjedhore, duke rezultuar në progres minimal në zbatimin e rekomandimeve të pazgjidhura nga OSBE/ODIHR dhe Komisioni i Venecias.

Ndër të tjera, PPE i kërkon Kuvendit të Shqipërisë të intensifikojë përpjekjet e tij në mbështetjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore.

Në Rezolutë ngrihet shqetësimi për: “Çdo persekutim politik i supozuar i liderëve të opozitës, deputetëve dhe zyrtarëve të pushtetit vendor, duke u përballur me kufizime të motivuara politikisht të të drejtave të tyre civile”.

Gjithashtu EPP shpreh shqetësim të thellë për arrestimet dhe kufizimet e motivuara politikisht të liderëve të opozitës, si dhe për ngushtimin e hapësirës për opozitën brenda parlamentit, duke i minuar mundësitë e saj për të mbajtur një rol kontrollues dhe për përkeqësimin e standardeve zgjedhore.

“Partia Popullore Evropiane (EPP) i kërkon autoriteteve shqiptare që të zbatojnë menjëherë reformat e kërkuara nga BE për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të siguruar një gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm, pa ndërhyrje politike; zgjedhjet e lira dhe të ndershme përbëjnë shtyllën themelore të qeverisjes demokratike, duke kërkuar garanci për pavarësinë e administratës publike nga partia në pushtet”, thuhet në Rezolutë.

EPP thekson se do të monitorojë nga afër zhvillimet në Shqipëri, duke mbështetur partitë e saj anëtare në zgjedhjet e ardhshme dhe duke mbrojtur aspiratat e Shqipërisë për në BE.

EPP gjithashtu rithekson mbështetjen e saj të fortë për integrimin evropian të Shqipërisë dhe ndjekjen e popullit shqiptar për një të ardhme të lirë dhe demokratike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë