Politike

As mish, as peshk! KQZ nuk di çfarë të bëjë me kërkesën për referendum

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban ende pezull vendimin për kërkesën e një grupi përfaqësuesish të shoqërisë civile që kërkojnë mbajtjen e një referendumi me anë të të cilit shqiptarët të zgjedhin me votë sistemin zgjedhor që preferojnë.

KQZ refuzoi për të tretën herë me radhë që të marrë një vendim pasi tha se nuk plotëson kuorumin. Aktualisht, ky institucion është me pesë anëtarë. Përfaqësuesit e shoqërisë civile akuzuan anëtarët se pas deklaratave dhe qëndrimeve kundërshtuese të tyre qëndron interesi për t’i shërbyer klasës politike aktuale për të mos ndryshuar sistemin zgjedhor.

Por, vetë KQZ thotë se pyetja “A janë dakord apo jo shqiptarët që të ndryshojë sistemi zgjedhor?”, që shoqëria civile kërkon të shtrohet për referendum, nuk përmbush kriteret ligjore. KQZ tha gjithashtu se procedurat për këtë nismë duhet të ishin kryer deri më 15 mars, por nismëtarët thanë se për shkak të pandemisë dhe gjendjes së jashtëzakonshme e kishin shtyrë kërkesën për në qershor.

Anëtarët e KQZ ishin të ndarë edhe për procedurën. Një pjesë kërkuan që kërkesa të adresohej në janar të vitit të ardhshëm, ndërsa një pjesë rrëzimin e saj. Vetëm kryetari i KQZ-së, Klement Zguri ishte pro pranimit të saj.

“Është e treta e herë që ne paraqitemi përpara KQZ. Sërish sot nuk mori dot vendim pasi nuk kishte kuorumin e duhur të vendimmarrjes, duke nxjerrë në pah problemet e rënda që kanë kapur edhe këtë institucion”, deklaroi përfaqësuesja e shoqërisë civile, Brizida Gjikondi.

Përveç mungesës së kuorumit të KQZ-së jetësimi i kërkesës së shoqërisë civile për referendum shndërrohet në një mision të pamundur edhe nga mungesa e Kolegjit Zgjedhor dhe e Gjykatës Kushtetuese

“Ky vendim pa vendim as nuk mund të ankimohet pasi edhe Kolegji Zgjedhor dhe as Gjykata Kushtetuese nuk funksionojnë”, shtoi Gjikondi.

Megjithatë, ish-kreu i KQZ-së, Kristaq Kume, pjesë e grupit që kërkon referendum për këtë temë thotë se beteja nuk ka përfunduar. Ai sugjeroi se shoqëria civile mund të ndërmarrë misionin e grumbullimit të 20 mijë firmave për të ndërhyrë në ligjin për referendumet dhe për t’u dhënë të drejtë qytetarëve që të vendosin përmes votës për çështje me rëndësi për të ardhmen e vendit.

Kjo përpjekje e radhës e shoqërisë civile është e ndarë nga nisma e “Thurjes”, që dorëzoi në parlament një peticion me mbi 50 mijë firma, ku kërkohet ndryshimi i sistemit zgjedhor, ose të paktën hapja e listave. Peticioni i Nismës “Thurje” është mbështetur edhe nga deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari.

Aktivistja Brizida Gjikondi thotë se grupi i shoqërisë civile që paraqiti këtë kërkesë për referendum në KQZ-së është në kontakt me deputeten Hajdari.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë