Monitorimet gjatë pandemisë COVID-19 treguan se në Tiranë (si qyteti me sasi më të mëdha shkarkimesh në ajër) u deshën 15 ditë karantinë që përqendrimet e të gjithë ndotësve të binin nën standardet e lejuara nga Organizata Botërore të Shëndetësisë. Por ndikimet në ajër që sollën kufizimet ishin më tepër kohore, pasi në kumulativë shkarkimet kanë shtuar intensitetin gjatë orëve aktive. Kjo tregohet në raportin vjetor të Co-Plan, i cili prej kohësh po kryen matjet e ndotjes së ajrit urban, nivelit të zhurmave dhe shërbimet e ekosistemit nga gjelbërimi urban në 4 qytetet kryesore: Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan. Siç shkruhet në raport, edhe pse qarkullimi ka qenë i kufizuar për më shumë se një vit, përqendrimet e ndotjes mbeten të njëjta e në disa raste më të larta se para pandemisë.
Koncepti i ndotjes urbane në Shqipëri lidhet me shkarkimin e substancave të dëmshme, të cilat, në mënyrë natyrale dhe jo natyrale, futen dhe qëndrojnë në qytete dhe në zonat urbane. Emetime që lidhen me aktivitetet njerëzore si ndërtimi, transporti, banimi, industria etj., cilësohen si ndotësit më të mëdhenj në këto zona urbane; kjo për shkak të përqendrimit të lartë të njerëzve dhe aktiviteteve në qendrat urbane. Ndikimi që kanë këta lloj ndotësish, sjellin sfida mjedisore në nivel global.
“Të dhënat për ndotjen nga zhurmat, gjithashtu, tejkalojnë standardin e lejuar si gjatë paradites edhe gjatë mbrëmjes. Në total, vlerësojmë se mbi gjysmë milion qytetarë të Republikës së Shqipërisë, operojnë çdo ditë nën ekspozimin dhe ndikimet e zhurmave dhe ndotësve të ajrit”, shkruhet në raport.
Në Bashkinë e Tiranës janë bërë rreth 668 matje pikësore për rreth 8 parametra.

Në tabelën më sipër tregohen nivelet e grimcave të pluhurit PM2.5 për një javë, të regjistruara nga një pajisje që mbledh informacion në kohë reale për ajrin përreth. Kolonat me vijë të kuqe tregojnë pikun e ndotjes në zonën e Bulevardit “Zogu I” gjatë një jave.
“Edhe për vitin 2021, si çdo vit, ndotja më e madhe shkaktohet nga sektori i transportit”, shkruhet në raport.
Në përgjithësi, vlerat e matura të dioksidit të azotit kanë qenë më të larta se standardi në rrugët dhe kryqëzimet kryesore të Tiranës. Vlera më e lartë e regjistruar është 500 μg/m3, mbi dhjetëfish më e lartë tek sheshi “Shqiponja” dhe rruga “Teodor Keko”. Zona më pak të ndotura nga dyoksidi i azotit janë Kodra e Priftit, zona e 5 majit drejt Freskut.

Ndërkohë në tabelën më sipër tregohen zonat ku janë tejkaluar vlerat e lejuara të dyoksidit të karbonit (350 ppm standarti shqiptar, i OBSH dhe BE).
Vlera të larta janë gjendur në zonat e lartpërmendura si dhe është shtuar sheshi “Skënderbej”, duke nisur nga zona e Liqenit të thatë, rruga e Kosovarëve, diga e Liqenit dhe Unaza e madhe. Në këto zona vlera e regjistruar ka qenë 771 ppm.
Grimcat e pluhurit PM2.5 sipas standartit europian është 25 ndërkohë që në zonën e Astirit kjo vlerë ka shkuar në 104. Ndërkohë në qytetin e Elbasanit janë vënë re po ashtu vlera mbi nivelin e lejuar ku nga 47 pika të monitoruara, vetëm 4 prej tyre kishin nivelet e dyoksidit të azotit normal. Për sa i përket VOC, gjurma e ndotësit është në vlera shqetësuese “si pasojë e aktivitetit industrial pranë zonës urbane”. Grimcat PM2.4 dhe PM10 janë më pak shqetësuese në Elbasan.
Në Shkodër parametrat e PM2.5 janë tejkaluar në më shumë se 265 zonave të monitoruara, njësoj si me parametrave PM10. Vlerat e lejuara janë tejkaluar edhe për dyoksidin e karbonit (350 ppm standarti) në shumë zona të monitoruara.
“Mendohet se përveç trafikut të lartë, shkak për ndotjen me dyoksid karboni bëhen edhe shitësit ambulantë , qebaptore lëvizëse dhe gështenjapjekësit të cilët emetojnë në mënyrë të vazhdueshme tymra”, shkruhet në raport.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



