Politike

As ekip e as rezolutë, Kuvendi i Kosovës s’mblidhet dot

Përpjekjet e Kuvendit të Kosovës për t’u mbledhur në dy ditët e fundit dhe për të diskutuar fillimisht ekipin negociator të dialogut me Serbinë, që propozon Qeveria dhe rezolutën po për këtë dialog, të mbështetur nga opozita kanë dështuar njëra pas tjetrës.

Dy kampet janë përplasur që me kohën se kush duhet shqyrtuar e para. Opozita këmbëngul se para ekipit negociator duhet të miratohet rezoluta, në mënyrë që Kuvendi të marrë në dorë bisedimet me Serbinë dhe dialogu të futet, sipas saj, në binarët e ligjshmërisë.

Qeveria nga ana e saj ka kërkuar që më parë të kalojë miratimi i ekipit negociator, duke përfshirë në të edhe përfaqësues të opozitës dhe të shoqërisë civile. As e para dhe as e dyta nuk ka ndodhur dhe kjo fillimvjeshte rrezikon ta fusë Kosovën në një krizë të thellë politike.

Partitë opozitare refuzuan që të paraqiteshin në Kuvend për çështjen e ekipit negociator dhe shpresat e Kryeministrit Ramush Haradinaj, të paktën për plotësimin e kuorumit dhe më pas për votim u varën tek deputetët serbë.

Në orët e pasdites të së mërkurës u thërrit sërish një seancë e jashtëzakonshme për këtë temë. Një pjesë e deputetëve serbë u shfaqën në sallën e seancave plenare, por edhe kjo përpjekje për t’u mbledhur, ashtu si të tjerat u shkërmoq dhe Haradinaj u shfaq i dorëzuar.

“As opozita dhe as lista serbe nuk duan që ta votojnë ekipin negociator”, deklaroi ai.

Paraditen e së enjtes mbështetës të opozitës dhe qytetarë të thjeshtë u mblodhën para godinës së Kuvendit për të kërkuar miratimin e rezolutës, e cila i ndalon Presidentit Hashim Thaçi diskutimin e ndryshimit të kufijve në dialogun me Serbinë.

Po të mërkurën, vetë Presidenti Hashim Thaçi bëri me dije vijat e kuqe, që thotë se nuk do të tejkalojë në dialogun me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiç.

“Së pari, synojmë një marrëveshje përfundimtare dhe jo një marrëveshje që do të shtyjë status quo-në edhe për disa vite të tjera. Së dyti, synojmë marrëdhënie të normalizuara me Serbinë, si dy vende fqinje. Së treti, përmes kësaj marrëveshjeje dhe njohjes reciproke, ne anëtarësohemi në OKB, pastaj në Këshillin e Europës, OSBE e NATO dhe kemi një perspektive të qartë për anëtarësim në Bashkimin Europian. Së pesti, njohja reciproke do të pasohet me një proces korrigjimi të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi ai.

Por, për Vuçiç janë pikërisht kufijtë thelbi i gjithë diskutimit.

“Me sa po shoh unë, zyrtarët shqiptarë në Prishtinë nuk duan që të bisedojnë fare për thelbin e çështjes. Nuk duan të bisedojnë për bashkësinë e komunave me shumicë serbe, s’duan të bisedojnë për veriun dhe as për ujëmbledhësin e Gazivodës”, deklaroi ai për Tanjug.

Vuçiç do të vizitojë në fundjavë komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë