Kombetarja

As Anglia dhe as Andorra nuk janë barometër, pasqyra kuqezi është Hungaria

Nga Fatjon Rupi – Janë luajtur dy ndeshjet e para kualifikuese të Katar 2022 dhe Shqipëria ka marrë 3 pikë. Llogaritë dalin, po të mendosh se luajtëm me Andorrën dhe Anglinë, por pas këtyre 180 minutave është e paqartë se çfarë mund të bëjë realisht kjo skuadër, deri ku mund të shkojë dhe cilat janë limitet e saj.

As Andorra, ku fituam 0-1 dhe as Anglia, ku u mundëm 0-2, nuk mund të shërbejnë si barometër. As San Marino, kundërshtari i radhës.

Në ndeshje si ajo me Andorrën mjafton cinizmi për të marrë rezultatin dhe kaq. Mjafton të marrësh tri pikët pa e dëmtuar veten në atë fushë, ku sikurse e thanë të gjithë, nuk mund të shpalosësh vlerat më të mira, është gati e pamundur edhe për kombëtaret e niveleve të larta. Kundërshtari luan i gjithi në zonën e tij dhe hapësirat janë të pakta, plus parametrat e fushës.

Kombëtarja para ndeshjes me Anglinë. Gazeta Si, 29 mars 2021

Anglia mund të na tregonte diçka, të paktën për nivelin e lojës, por gjatë ndeshjes u pa qartë se nuk mund të matemi me “Tre Luanët”. Hendeku është i jashtëzakonshëm, ata janë nga një tjetër planet, të “kafshojnë” në momentin e parë që të gjejnë zbuluar. Është e vështirë t’ua marrësh topin dhe nëse nuk u shënon në një apo dy raste që mund të krijosh, atëherë mbetet vetëm të dorëzohesh pa kushte, ose të paktën të mos humbësh toruan për t’u shembur me gola të pësuar.

Pra, asnjë nga këto dy ndeshje nuk mund të merret si barometër apo etalon për Shqipërinë. Trajneri Edi Reja mund të ketë përgjegjësitë e veta, po ashtu edhe lojtarët, por 3 pikët e marra pas ndeshjeve me Andorrën dhe Anglinë janë mëse logjike. Në këtë aspekt çdo gjë është normale, për nivelin e lojës pastaj mund të ketë interpretime të ndryshme.

Sjellja e skuadrës në fushë ndaj Anglisë ishte deri diku e mirë, por vështirë të nxjerrësh konkluzione të sakta me kaq sa kemi parë deri tani.
Pasqyra më e mirë e Kombëtares do të jetë Hungaria, dy ndeshjet me këtë rival direkt në grup. Edhe Polonia, por Hungaria është më afër nivelit të skuadrës sonë dhe është njësia matëse më e mirë.

Rezultatet dhe loja e kuqezinjve në këto dy ndeshje do të japin një gjykim të saktë për atë çfarë mund të bëjmë në këto eliminatore, për punën e trajnerit Edi Reja, zgjedhjet e tij dhe nivelin real të grupit të lojtarëve.

Shumë specialistë dhe ish-futbollistë të Kombëtares e konsiderojnë sukses vendin e tretë në grup dhe për këtë duhet patjetër një bilanc pozitiv me hungarezët. Nëse kemi bilanc pozitiv edhe me Poloninë, aq më mirë, por sfida reale e kuqezinjve është ajo me Hungarinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë