Lexo me "Si"

‘Arti duhet të jetë ndërgjegjja kritike e shoqërisë, që zhvesh të pavërtetat’

“Romanet “shpalosin brenda nesh, brenda një ore, të gjitha gëzimet dhe fatkeqësitë e mundshme që, në jetë, do të na duheshin vite të tëra për t’i njohur qoftë edhe sipërfaqësisht, e për të cilat më të thellat nuk do t’i njihnim kurrë, sepse ngadalësia me të cilën ndodhin na pengon t’i ndiejmë. Duke lexuar letërsi të madhe, unë bëhem një mijë njerëz e megjithatë mbetem vetvetja. Si qielli i natës në një poemë greke, shoh me mijëra sy, por jam ende unë që shoh. Këtu, si në adhurim, në dashuri, në veprim moral dhe në njohje, unë e tejkaloj vetveten; dhe nuk jam kurrë më shumë vetvetja sesa kur e bëj këtë.

Nga Gazeta “Si”– Papa Françesku, i cili ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në moshën 88-vjeçare, ishte një nga Papët i cili përgjatë gjithë jetës së tij, u interesua dhe kumtoi rëndësinë e artit dhe veçanarisht të letërsisë. 

Nga takimi me Borghesin, shkrimtarin më të madh argjentinas, te letra e famshme drejtuar njerëzimit mbi rëndësinë e të lexuarit të romaneve dhe poezive, e deri tek fjalimi para artistëve botërorë në 50- vjetorin hapjes së koleksionit të ‘Artit Modern në Muzeumet e Vatikanit”, ai shpallte se nëpërmjet artit dhe letërsisë, shpirti i njeriut pastrohet nga të këqijat dhe veset e botës

Takimi me Jose Luis Borghes në Santa Fe

Në vitin 1965, Borges ishte 66 vjeç dhe i njohur në mbarë botën. Ndërkohë, Bergoglio ishte vetëm 28 vjeç, një meshtar i ri jezuit, që jepte letërsi dhe psikologji në dy klasa të shkollës së mesme. Borges, me siguri, vuri re zgjuarsinë dhe hijeshinë e Bergoglio-s së ri. Kur pranoi ftesën për të dhënë disa leksione mbi letërsinë gaucho në shkollën ku jepte Bergoglio, ndoshta e pa si  një përvojë ndryshe nga rutina e tij.

Gjatë qëndrimit të Borges-it në Santa Fe, ai dhe Bergoglio patën më shumë kohë për të folur se kurrë më parë. Më pas, Bergoglio përmbushi një dëshirë të shkrimtarit: mblodhi disa shkrime të nxënësve dhe ia dërgoi që dikush t’ia lexonte. Pak ditë më vonë, Borges u përgjigj me një falënderim të ngrohtë për mikpritjen dhe për kërkesën që të shkruante një parathënie – për një libër që ekzistonte vetëm në imagjinatën e tij. Borges shkroi ndoshta parathënien më bujare që ka shkruar ndonjëherë:

“Kjo parathënie nuk është vetëm për këtë libër, por për secilin nga librat e panumërt që mund të shkruajnë në të ardhmen këta nxënës të pranishëm.”

Bergolio dhe Borghes

Shumë vite më vonë, Papa Françesku kërkoi  që në Buenos Aires të mbahej një takim mbi Jorge Luis Borges-in, në kuadër të iniciativës “Oborri i Paganëve”. Ky nuk ishtë thjesht një nderim për figurën e rëndësishme të letërsisë botërore, por dhe një përpjekje për të përmbushur mesazhin e Borges-it në poezinë “Përjetësia”:

“Një gjë nuk ekziston: harresa, dhe gjithashtu:

“Zoti shpëton edhe metalin, edhe skorien” 

Një premtim shprese për mëkatarët, me frymëzimin e Borges-it.

“Arti juaj duhet të jetë ndërgjegjja kritike e shoqërisë, që zhvesh të pavërtetat”

 “Ju jeni bashkëpjesëmarrës në ëndrrën e Zotit”. Me këto fjalë Papa Françesku u kujtoi artistëve të famshëm botërorë, gjatë një takimi në Kapelën Sistine, në Qershor të vitit 2023 se bukuria e vërtetë ngjall dëshirën për Zotin dhe i jep lavdi atij, ndërsa i priti për 50-vjetorin e hapjes së Koleksionit të Artit Modern në Muzeumet e Vatikanit. Ai në atë takim shprehu shpresën dhe lutjen që veprat e tyre të jenë “të denja për gratë dhe burrat e kësaj toke dhe të japin lavdi Zotit, Atit të të gjithëve, të cilin të gjithë e kërkojnë, edhe përmes dëshmisë së veprave të artit.”

Duke i falënderuar  për pranimin e ftesës dhe shprehjes së lumturisë që ndodhej mes tyre, Papa u kujtoi atyre marrëdhënien e veçantë dhe miqësore që Kisha ka pasur me artin ndër shekuj. Papa e përshkruante artistin si një roje, një profet, që sheh përtej horizontit dhe zbulon realitete më të thella. Në këtë kontekst, ai i ftonte ata të refuzonin bukurinë artificiale dhe sipërfaqësore, atë që është shpesh e lidhur me mekanizma ekonomikë që krijojnë pabarazi.

“Ju duhet të qëndroni larg kësaj bukurie false. Arti juaj duhet të jetë ndërgjegjja kritike e shoqërisë, që zhvesh të pavërtetat.” u tha mes tjerash Papa, artistëve nga e gjithë bota të pranishëm.

Letra e Papa Françeskut, mbi rëndësinë e letërsisë

Letra e Papa Françeskut drejtuar priftërinjve në mbare botën , për rëndësinë e leximit të romaneve dhe poezive mbetet një ndër letrat më frymëzuese shkruar ndonjëherë për rëndësinë e lëtërsisë në jetën e njeriut. Ai shkruante se romanet dhe letërsia i ndihmojnë priftërinjtë që ta shpallin më mirë Ungjillin dhe besimin në Zot.

“Romanet “shpalosin brenda nesh, brenda një ore, të gjitha gëzimet dhe fatkeqësitë e mundshme që, në jetë, do të na duheshin vite të tëra për t’i njohur qoftë edhe sipërfaqësisht, e për të cilat më të thellat nuk do t’i njihnim kurrë, sepse ngadalësia me të cilën ndodhin na pengon t’i ndiejmë.

Duke lexuar letërsi të madhe, unë bëhem një mijë njerëz e megjithatë mbetem vetvetja. Si qielli i natës në një poemë greke, shoh me mijëra sy, por jam ende unë që shoh. Këtu, si në adhurim, në dashuri, në veprim moral dhe në njohje, unë e tejkaloj vetveten; dhe nuk jam kurrë më shumë vetvetja sesa kur e bëj këtë.

Pikërisht në këtë nivel, njohja me letërsinë mund t’i ndihmojë priftërinjtë e ardhshëm dhe të gjithë punonjësit baritorë të bëhen më të ndjeshëm ndaj njerëzores së plotë të Zotit tonë Jezus, në të cilën hyjnia e tij është tërësisht e pranishme. Në këtë mënyrë, ata mund ta shpallin Ungjillin në një mënyrë që i lejon të gjithë të përjetojnë të vërtetën e mësimit të Koncilit të Dytë të Vatikanit: “Vetëm në misterin e Fjalës së bërë mish bëhet plotësisht i qartë misteri i njeriut” do të  shkruante Papa Françesku duke lënë pas figurën e një Pape që u lut dhe pati guximin të fliste edhe për tema të rëndësishme si lufta në Gaza apo pranimi i homoseksualëve nga Kisha Katolike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë