Ekonomi

Arsimi, drejtësia dhe ekonomia ‘thembra e Akilit’ të Shqipërisë

Nga Gazeta ‘SI’ – Një analizë e fundit e organizatës OECD, ka nxjerrë në pah “pikat e dobëta” të Shqipërisë.

Shqipëria, thotë raporti ka bërë disi progres drejt arritjes së objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Agjendës 2030, por në disa fusha vijon të ketë performancë jopozitive, madje edhe në rënie, ndër të cilët arsimi.

OECD vë në dukje se Shqipëria ka bërë hapa pas në sektorin e arsimit (objektivi 4), me rënie të normave të regjistrimit në parashkollor dhe fillor.

Në testimin PISA 2022 që organizohet nga OECD për testimin e njohurive të adoleshentëve, Shqipëria u rendit në vendin e 62, ndër 80 vendet që kanë marrë pjesë në testim.

Drejtësia dhe qeverisja nuk kanë pasur përmirësim thotë OECD, (objektivi 16) për shkak të normës së vrasjes, korrupsionit, praktikat e paligjshme të shpronësimit dhe rënies së lirisë së shtypit.

Progresi ka mbetur në vendnumëro në zhvillimin e qëndrueshëm të qyteteve dhe komuniteteve (objektivi 11). Përmirësimi i shërbimeve të aksesit në ujësjellës, transport dhe shërbime të tjera mbeten sfida të rëndësishme.

Progresi është gjithashtu i nevojshëm në fushën e ekonomisë rrethore (objektivi 12) dhe mbrojtjen e ekosistemeve tokësore (objektivi 15). Mangësitë më të rëndësishme mbeten në fushat e punës së denjë dhe rritjes ekonomike (objektivi 8), jetës detare (objektivi 14).

Progresi ekonomik dhe përfshirja mbeten të kufizuara nga mungesa e aksesit në burimet financiare në të gjithë popullsinë, papunësia e lartë e të rinjve dhe mungesa e të drejtave themelore të të punësuarve.

Analiza tregon se, Shqipëria po mban mirë dy objektivat, varfëria (Objektivi 1) dhe veprimi klimatik (objektivi 13), dhe është në rrugën drejt arritjes në furnizimin me ujë të pastër (objektivi 6) dhe reduktimin e pabarazive (Objektivi 10).

Progresi ka qenë më i moderuar në fushën e energjisë së përballueshme dhe të pastër (objektivi 7).

Shqipëria ka ruajtur ecurinë e saj në eliminimin e varfërisë ekstreme që nga viti 2021 (objektivi 1). Qasja në ujin bazë të pijshëm dhe shërbimet higjienike janë rritur në të gjithë popullsinë (të dyja mbi 95%).

Rezultatet shëndetësore (objektivi 3) mbeten pozitive dhe mesatarisht në përmirësim, me nivelet e synuara për 2030. Por vendi ynë duket se ka bërë hapa pas me rënien e shkallës së vaksinimit tek foshnjat dhe mbulimin e shërbimit universal shëndetësor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë