Ka ndodhur

ARRSH: Në aksin rrugor Bogë-Theth ka rënie orteqesh, vështirësi në qarkullim

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka informuar sot lidhur me situatën në akset rrugore ndërkohë që në të gjithë vendin vijojnë reshje e shiut dhe dëborës shoqëruar edhe me ulje temperaturash.

ARSH bën të ditur në një postim në rrjetet sociale se reshjet e dëborës kanë filluar edhe në Qafë Plloçë-Kapshticë, Korçë-Ersekë, Libonik-Maliq, Zëmblak-Dogana Goricë, Qafë Mali-Fierzë, Pukë Fushë Arrëz-Kukës ku është punuar me mjete borëpastruese dhe qarkullimi kryhet pa probleme.

Në aksin Bogë-Theth në zonën e tuneleve vazhdon rënia e orteqeve duke sjellë vështirësi në qarkullim dhe pastrimin e rrugës.

ARRSH thekson se kontraktorët me mjete e punëtorë kanë qenë në terren gjatë gjithë natës në të gjitha akset me prezencë dëbore për të mbajtur qarkullimin në normalitet.

Në apelin për drejtuesit e automjeteve ARRSH kërkon që të tregojnë kujdes të shtuar në kohë me reshje, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në zonat malore, të ulin shpejtësinë si dhe të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë