Futboll

Arroganca, arma “Champions” e Realit të Madridit

Reali është larg të qënurit skuadra më e fortë në Europë dhe ky sezon e ka treguar këtë deri më tani. “Los Blancos” nuk fiton më me atë lehtësi ndaj kundërshtarëve, edhe modestë qofshin, mbrojtja fut ujë në çdo anë dhe fuqitë e Cristiano Ronaldos janë venitur.

Por, megjithë këto “defekte”, Reali mbetet favoriti i pakundërshtueshëm kur bëhet fjalë për të fituar Ligën e Kampionëve dhe nëse e arrin këtë sezon do të ishte e treta radhazi.

Duket se sa herë bëhet fjalë për “Kupën me dy veshë”, asgjë nuk e tremb e step Realin dhe forcën më të madhe të kësaj skuadra; arrogancën e palëkundur si 12 herë kampion i Europës.

“Po bëjmë të pamundurën të kollajtë! Askush më parë nuk kishte fituar dy finale radhazi, ne e bëmë dhe e bëmë të dukej e lehtë”, deklaronte të hënën kapiteni Sergio Ramos.

Pikat e dobëta të Realit janë shpërfaqur në forma të ndryshme dhe shpesh këtë sezon. Ata renditen të tretët në kampionatin spanjoll, shumë pikë pas Barcelonës, ndërsa nuk bindën as në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, kur e mbyllën në vendin e dytë, të lënë pas nga Tottenham.

Por, tani është vetëm 90 minuta larg nga ngritja për herë të tretë radhazi dhe të 13-të në histori të trofeut. Me këtë finale Reali barazon rekordin e vendosur nga Juventusi i Marcello Lippit me tre finale radhazi nga 1996 deri në 1998 dhe nëse do të triumfojë përballë Liverpulit, ose Romës, do të barazonte rekordin historik të Bayern Munchen me 3 tituj radhazi, të fituar nga 1974 deri në 1976.

Ajo që e ben akoma më të pabesueshëm dominimin madrilen në Europë është fakti se skuadra ja ka dalë mbanë të fitojë pa një filozofi loje. Skuadra nuk ka ritmin e Barcelonës së Pep Guardiolas dhe as taktikat e Milanit në kohët e tij të arta. Reali thjesht bën çfarë është e nevojshme për të fituar. E gjithë kjo falë trajnerit Zinedine Zidane, një prej lojtarëve më të mëdhenj të brezit të tij i shndërruar në një trajner pragmatik.

Mori çelsat e skuadrës para dy vitesh, pa patur asnjë përvojë në drejtimin e një skuadre profesioniste. Por, si ish-lojtar i Realit ishte plotësisht i indoktrinuar me “fiksimin” madrilen për trofe. Metodat e Zidane nuk përngjasojnë me asnjë trajner tjetër. Taktika e tij është të jepet maksimumi. Është një vrasës që nuk lë gjurmë. Skuadra mbyllet në prapavijë dhe pret për ndonjë veprim brilant të njërit prej yjeve që ka në mesfushë e sulm. Shpesh rastis që ky yll të jetë Ronaldo.

Sezonin paraardhës, kjo strategji funksionoi më së miri. Ronaldo ruajti energjitë e tij për raundet me eleminim direkt, ku shënoi 10 gola në pesë ndeshje. Edhe ky sezon ngjason më të parin. Ronaldo, edhe pse 33 vjeç shpërtheu në eleminimet direkt, ku kulmi ishte në takimet me Juventusin e për të mos harruar atë gol spektakolar me rrofeshatë në Torino.

Megjithatë, në dy ndeshjet e luajtura ndaj Bayern, portugezi nuk arrit që të gjejë rrjetën. I vetmi moment në ndeshjen e parë ishte goditja me kokë pak para golit të barazimit të Marcelos. E njëjta gjë ndodhi edhe në Bernabeo, ku humbi një rast të pastër brenda zonës i vetëm përballë portierit Ulriech.

Vetë Zidane e pranon se Reali vuajti në të dyja sfidat përballë Bayern.

“Mund të bëjmë më mirë, e dimë këtë! Por, për momentin duhet të jemi të kënaqur. Megjithëse mund të vuajmë, nuk na mungon dëshira dhe vullneti për t’i shkuar deri në fund kësaj rruge”, deklaronte ai.

Në deklaratat e Zidana ka një të vërtetë të madhe; luan mirë, apo keq Reali kërkon që të shkojë deri në fund, sepse Reali nuk luan për të tashmen, luan për 30 vite më vonë, kur njerëzi të ulen dhe të shohin listën me fitues. Në këtë listë nuk do të jetë Bayerni luftarak i dy ndeshjeve gjysmëfinale, apo momentet e mefshta të Realit dhe futbolli dembel e i shëmtuar që bëri. Në listë do të shohin vetëm emrin e Realit, që e bën akoma më poshteruese humbjen për viktimat e “Los Blancos”.

Bayern u shfaq shumë më superor në ndeshjen e parë në Gjermani, por në fund u mposht 2-1.

“Nuk kam parë kurrë një Real që toleron kaq shumë raste në prapavijë, ndaj nuk jemi dorëzuar ende. Është e qartë që Reali mund të ndëshkohet, sidomos në mbrojtje. Ndaj kemi shpresa”, deklaronte Jupp Heynckes pas ndeshjes së parë.

Por, Heynckes dhe Bayern nuk janë të parët që zbuluan “Thembrën e Akilit” të Realit. Në të tre sezonet e fundit, të gjithë rivalët e Realit kanë patur nga një mundësi të artë për ta “vrarë”, por askush nuk e kapi këtë mundësi.

“Që të fitosh Ligën e Kampionëve, ndonjëherë mjafton një ditë me fat, ku nuk luan mirë, nuk e meriton fitoren, por në fund fiton”, deklaronte dikur Xabi Alonso, ish-mesfushor i Realit.

Përjashtimi është se Reali i këtyre tre sezoneve e ka bërë rrugë dhe pyetja që ngrihet me të drejtë është; a bëhet vërtet fjalë për fat?

Real feston golin e barazimit 1-1 ndaj Bayern në takimin e parë

Në finalen e 2014 kundër Atletico Madrid, Reali ishte në disavantazhin 1-0 deri në minutën e tretë të kohës shtesë, kur Sergio Ramos kërceu me kokë dhe barazoi gjithça. Në shtesa, Reali fitoi 4-1.

Në finalen e 2016, Real pa Antoine Griezman të Atletikos të godasë traversën gjatë një 11-meëtërshi në kohën e rregullt. Ndeshja më pas u fitua nga “Los Blancos” me penallti pas përfundimit edhe të kohës shtesë.

Veteranët e klubit kanë parë shumë nga këto mrekulli, që për ta janë shndërruar të zakonshme.

“Shumë prej lojtarëve tanë kanë luajtur shumë ndeshje të mëdha dhe ndaj jemi të qetë në situate të vështirë, sepse e dimë që mund të mposhtim këdo. Edhe kur jemi duke humbur, mund ta ndryshojmë fatin e ndeshjes. Kemi kaluar shumë situata të tilla, ndaj nuk na kap paniku në fushë”, thotë mesfushori Toni Kroos.

Por, edhe për të rinjtë nuk ka rrugë tjetër. Kjo është klima e vetme me të cilën janë rritur. 26-vjeçari Lucas Vazsques është produkt i akademisë madrilène, bashkëmoshatari i tij Isco erdhi nga Malaga, por nuk mund të quhet më i ri tek Reali pas pesë sezoneve me këtë fanelë. Marcos Asensio është vetëm 22, por ndodhet prej 4 vitesh të klubi dhe është pikërisht njeriu që u hodh nga stoli dhe shënoi golin e fitores ndaj Bayern në takimin e parë.

Vetëm se ishte Reali, askush nuk u habit nga kjo!

“Nuk na duhet të ndryshojmë! Kemi përqendrimin dhe vendosmërinë për të fituar. S’kemi pse ndryshojmë shumë”, thotë Zinedine Zidane.

How to Buy Prescription Medications


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë