Analize

A do të largohet Italia nga Bashkimi Evropian?

Më shumë se nëntë javë pas zgjedhjeve të përgjithshme, dy partitë kryesuese të Italisë, Lëvizja Pesë Yjet dhe Liga nuk kanë mundur të formojnë ende një qeveri, edhe pse fushata e tyre zgjedhore shënjestronte kryesisht Brukselin dhe Bashkimit Evropian. Edhe pse ditët e fundit janë parë duke debatuar ashpër me njëri-tjetrin, është e sigurt se njëra nga partitë, do të jetë forca që do të udhëheqë qeverinë e ardhshme të Italisë dhe do të marrë vendimin më të rëndësishëm të kombit: Daljen nga Bashkimi Evropian.

Në një fjalim në Parlamentin Europian, kreu i Ligës, Matteo Salvini, e krahasoi Bashkimin Evropian me "Titanikun që po fundosej." Por pikëpamjet e Lëvizjes Pesë Yjet janë shumë më të paqarta. Krerët e saj kanë ndryshuar mendjen disa herë për euron dhe për rrugën që do të ndjekin brenda Bashkimit Evropian dhe mund të ndryshojnë mendje sërish

"Italia duhet të lërë euron sa më shpejt që të jetë e mundur! Euro na ka shkatërruar dhe Italia jugore është kthyer në një djerrinë”, deklaroi gjatë fushatës Beppe Grillo, themeluesi i lëvizjes.

Ditën e Zgjedhjeve, Pesë Yjet morën 32 përqind të votave, Liga mori 17 për qind dhe shumë parti euroskeptike arritën të “joshnin” dhjetëra mijëra votues. Kjo do të thotë se më shumë se gjysma e votuesve italianë u kthyen kundër Evropës. Por a do të thotë se kjo se e ardhmja e Italisë në Bashkimin Evropian është në rrezik?

Tani për tani, vështirë të themi se Italia të dalë nga eurozona apo të largohet nga Bashkimi Evropian. Megjithatë kjo situatë ka zbuluar një të vërtetë tronditëse: vendi më europian i kontinentit ka humbur besimin në aftësinë e BE-së. Italia është një nga gjashtë kombet themeluese të Bashkimit Europian dhe një ndër nënshkrueset e para të Traktatit të Romës në vitin 1957, së bashku me Francën, Gjermaninë, Belgjikën, Hollandin dhe Luksemburgun. Për 60 vjet ajo qenë një anëtare besnike e BE-së dhe ka udhëhequr rregullisht sondazhet për besimin dhe vullnetin për ta çuar përpara projektin europian.

Çfarë ka ndryshuar?

Tre gjëra! Njëra ka të bëjë me politikat evropiane, e dyta përfshin politikanët italianë dhe e treta, pasojë e dy të parave, ka të bëjë me votuesit italianë. Çdo vend në Bashkimin Europian ka të paktën një parti politike që është fuqizuar falë qëndrimit anti-europian, por në Itali kanë mbizotëruar historikisht parti pro-evropiane, të cilat nuk kanë dalë kurrë kundër Brukselit dhe dështimeve të tyre. Matteo Renzi mezi e hapte gojën për të thënë diçka të pakëndshme kundër Bashkimit Evropian, duke menduar se në këtë mënyrë do të nxirrte jashtë lojë kundërshtarët e tij. E pra, ai dështoi. E njëjta gjë ndodhi edhe në Britani përpara referendumit të “Brexit. Ndërkohë që drejtonte fushatën për të qëndruar në bllok, David Cameron zgjodhi të mos pranonte asnjë nga të metat e Bashkimit Evropian, por e vetmja gjë që arriti ishte të bindte bashkëqytetarët e tij se kishte ardhur koha t’i thoshin “lamtumirë” unionit.

Italia nga ana tjetër, ndjen prej kohësh një hendek emocional midis Evropës dhe qytetarëve të saj. Për pothuajse 60 vjet, votuesit italianë e kishin parë Bashkimin Evropian si një “dado” të shurdhër por të besueshme, i cila do të kujdesej deri në fund për politikanë e papërgjegjshëm italianë. Një ish-kryeministër(emrin e të cilit nuk po e përmend) më tha hapur se nëse nuk do të ishte për Brukselin, nuk do të mund t'i rezistonte presionit për të zgjeruar shpenzimet publike.

Por tanimë shumica e italianëve mendojnë se fajin e ka “dadoja”, duke harruar arritjet e jashtëzakonshme të Bashkimit Evropian? Janë krijuar standarde të përbashkëta nga siguria deri tek komunikimi; lejohet që njerëzit të tregtojnë, punojnë dhe të jetojnë aty ku dëshirojnë, është bërë e mundur mbrojtja e bujqësisë dhe peshkimit dhe janë ndihmuar miliona studentë për t’u shkolluar jashtë vendit. Papritur u harrua gjithçka? Jo, por shumica e italianëve e ndjejnë veten shumë të distancuar nga Brukseli. Për shumicën e qytetarëve, Bashkimi Evropian është një organizatë e “pashpirt”

Mangësia më e madhe e unionit mund të jetë paaftësia për të komunikuar arritjet e tij. Merrni Ditën e Evropës për shembull, vetëm një pjesë e vogël e 510 milionë qytetarëve të Bashkimit Evropian e dinë për ekzistencën e kësaj feste, e lëre më ta festojnë dhe pothuajse askush nuk e ka idenë pse është vendosur të celebrohet më 9 maj. Në të vërtetë, në 9 maj të vitit 1950, Robert Schuman, asokohe Ministri i Jashtëm i Francës, propozoi zyrtarisht prodhimin e thëngjillit dhe çelikut francez dhe gjerman nën një autoritet të vetëm.

Imagjinoni tani sikur ta shpallim 9 majin "Ditë anti-Evropiane" dhe të pezullojmë të gjitha arritjet e BE-së për 24 orë. Të rikthejmë edhe njëherë të gjitha kontrollet kufitare dhe barrierat tregtare. Njerëzit do të përdorin secili monedhën e vendit të tyre nëpër udhëtime dhe ekipet e futbollit do të pranojnë vetëm lojtarë nga vendet e tyre.

Një ditë do të ishte e mëse mjaftueshme për t'u kujtuar qytetarëve të saj, sidomos Italisë, se ç'është Evropa.

/

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë