Bota

Arrihet marrëveshja: Von der Leyen, Costa dhe Kallas në krye të BE-së

Liderët e Bashkimit Europian kanë arritur një vendim të përbashkët për tre postet kryesore të bllokut.

Siç raportojnë mediat ndërkombëtare, marrëveshja mbështet treshen e kandidatëve të raportuar më parë: Ursula von der Leyen për presidente të Komisionit Evropian, António Costa për president të Këshillit Evropian dhe Kaja Kallas për Përfaqësuesen e Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë.

Gjashtë liderët e Bashkimit Evropian që veprojnë si negociatorë të partive kryesore të qendrës, Popullorëve, Socialistëve dhe Liberalëve,  kanë nënshkruar marrëveshjen paraprake për të ndarë postet kryesore të bllokut pas zgjedhjeve evropiane të qershorit.

Emrat ishin thuajse të finalizuar në mbledhjen jozyrtare të liderëve gjatë javës së shkuar, por siç raportohet, u finalizuan pas një telefonate midis Donald Tusk të Polonisë, Kyriakos Mitsotakis të Greqisë, Olaf Scholz të Gjermanisë, Pedro Sánchez të Spanjës, Emmanuel Macron të Francës dhe Mark Rutte të Holandës.

Tusk dhe Mitsotakis përfaqësojnë Partinë Popullore Evropiane (EPP) të qendrës së djathtë, Scholz dhe Sanchez Social-Demokratët (S&D) dhe Macron dhe Rutte familjen liberale të Renew Europe.

Të tre partitë pritet të punojnë së bashku dhe të ndërtojnë një koalicion të qëndrueshëm që mund të mbështesë mandatin e dytë të Von der Leyen.

Përzgjedhja e posteve kryesore duhet të ratifikohet nga të 27 liderët në një samit vendimtar më vonë gjatë kësaj jave, gjatë të cilit ata do të miratojnë gjithashtu Axhendën Strategjike për pesë vitet e ardhshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë