Treg

Arrihet marrëveshja midis Rusisë dhe OPEC për të ulur prodhimin e naftës

OPEC dhe aleatët e udhëhequr nga Rusia ranë dakort të dielën për një reduktim rekord në prodhimin e naftës në mënyrë që çmimet e saj të mos bien më.

Masat izoluese e shtetrrethuese për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit që janë marrë nga shumë vende të botës kanë shkatërruar kërkesën për karburant e si rezultat kanë ulur në çmime historike naftën.

Grupi i njohur si OPEC+ shprehet se ka rënë dakort të reduktojë nxjerrjen në treg të naftës me 9.7 milionë fuçi në ditë përgjatë majit dhe qershorit, pas katër ditëve bisedimieve dhe presioneve të ushtruar nga presidenti i ShBA-së, Donald Trump, për të ndaluar rënien e mëtejshme të çmimit të naftës.

Ky reduktim rekord në ofertën e naftës është katër herë më i madh se rekordi i mëparshëm i 2008-s. Prodhuesit ngadalësisht do të relaksojnë kufizimet e vëna në ofertën e naftës pas qershorit, por reduktimet në prodhimin e saj do të vazhdojnë gjer në prill të 2022-shit.

Në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë, Trump e ka mirëpritur angazhimin nga Arabia Saudite dhe Rusia për të rikthyer prodhimin e naftës në nivele konsistente me kërkesën e energjisë globale dhe stabilitetit të tregut.

Më herët në Twitter Presidenti Trump ka shkruar “Marrveshja më e madhe me OPEC+ u arrit. Kjo do të shpëtojë me qindëra e mijëra vende pune në industrinë e energjisë në ShBA”.

Kërkesa ndaj naftës ka rënë me rreth një të tretat si rezultat i pandemisë së koronavirusit, ndërsa çmimet e naftës janë ngritur me më shumë se 1 $ fuçia të hënën pas marrëveshjes së arritur.

Reduktimet totale botërore do të përfshijnë ulje të ofertës nga vendet jo-anëtare të OPEC-ut, ulje vullnetare akoma e më të mëdha nga disa prej anëtarëve të OPEC+ dhe blerje strategjike të aksioneve nga konsumatorët më të mëdhenj botërorë.

Ministri i Energjisë i Arabisë Saudite Princi Abdulaziz bin Salman shprehet për Reuters se uljet reale efektive nga OPEC+ do të ishin në rrreth 12.5 milionë fuçi në ditë sepse Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara, dhe Kuvaiti do t’a reduktonin ofertën e naftës akoma e më shumë si rezultat i nxjerrjes së lartë që kishin bërë për naftën në prill.

Tre burime nga OPEC+ shprehen se vendet jo-anëtare si Brazili, Kanadaja, Indonezia, Norvegjia dhe ShBA-ja do të vazhdonin të kontribuonin 4 – 5 milionë fuçi në ditë.

Tre burime nga OPEC+ shprehen se Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (International Energy Agency, IEA) do të anoncojë blerjet në aksione nga anëtarët e saj në shumën e 3 milionë fuçive gjatë 2-3 muajve të ardhshme. Gjithashtu IEA do të japë informacione të mëtejshme të mërkurën kur të ketë publikuar raportin e saj mujor. ShBA-ja, India, Japonia, dhe Korea e Jugut janë shprehur se ato mund të blejnë baftë për të rizëvëndësuar rezervat e tyre.

Trumpi e ka kërcënuar liderin e OPEC-ut Arabinë Saudite me tarifa ndaj naftës dhe masa të tjera nëse nuk e rregullonte problemin e ofertës së tepruar teksa çmimet e ulëta e kishin vënë industrinë e naftës amerikane, më të madhen në botë, në rrezik të madh.

Kanadaja dhe Norvegjia kishin dhënë njoftimin se në mënyrë vullnetare do ta ulnin ofertën e po kështu dhe ShBA-ja, legjislacioni i të cilës e bën të vështirë për të vepruar paralelisht me masat e ndërmarrat nga OPEC-u, u shpreh se nxjerrja e naftës në treg do të binte shumë vetvetiu këtë vit si rezultat i çmimeve të ulëta.

Qeveria kanadeze u shpreh në një deklaratë për shtypin se e përshëndet marrëveshjen e OPEC+ në mënyrë që të ketë një stabilitet ekonomik dhe qartësi në çmimet e naftës.

Kërkesa botërore e naftës përllogaritet të ketë rënë me rreth 30 milionë fuçi në ditë teksa 3 miliardë njerëz gjenden të izoluar në shtëpitë e tyre si rrjedhojë e shpërthimit të kornavirusit.

Goldman Sachs dhe UBS kanë parashikuar javën e kaluar se çmimet e naftës Brent do të binin në në 20 $ fuçia teksa reduktimet e ofertës nuk do të ishin të mjaftueshme për të ndihmuar evitimin e shkatërrimit të madh që i është bërë kërkesës si rezultat i masave për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të virusit.  

Burimi: Reuters


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë