Gazeta Si – Spanja në futboll për femra u bë çështje menjëherë pasi u shpall kampione bote. Shkak u bë puthja e famshme që presidenti i Federatës, Luis Rubiales, i ‘vodhi’ lojtares Jeni Hermoso gjatë ceremonisë së trofeut.
Të gjithë më pas dolën kundër tij dhe kampionet e freskëta të botës bojkotuan kombëtaren, duke kërkuar jo vetëm largimin e Rubiales, por edhe të drejtuesve të tjerë. Tashmë vjen kthesa, vajzat ‘rebele’ janë bindur të rikthehen në kombëtare pas një akordi të arritur.

Pjesa më e madhe e lojtareve të grumbulluara nga trajnerja Montse Tome kanë pranuar të rikthehen pas çështjes ‘Rubiales’. Ato do të luajnë në Goteborg ndeshjen e Ligës së Kombeve ndaj Suedisë së Kosovare Asllanit. Konfirmimi është dhënë nga presidenti i Këshillit superior të sportit, Viktor Frankos, pas një mbledhjeje që zgjati disa orë.
Vetëm dy lojtare nuk kanë pranuar të kthehen, por emrat e tyre nuk bëhen të ditur. “Kanë kërkuar të lënë ekipin për moral të ulët dhe çështje personale. Do ta thonë ato vetë dhe shpresoj që të tregohet i njëjti respekt për të gjitha. Janë 21 lojtare që kanë shprehur vullnetin të kthehen. Të jem i sinqertë, lojtaret janë në një moment të komplikuar, por do të luajnë dhe ky është lajm i mirë”, – tha Frankos.
Shtypi spanjoll bën me dije se një ndryshim tjetër pas largimit të Rubiales është dorëheqja e sekretarit të përgjithshëm, Andreu Kamps.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




