Gazeta Si – Një punonjëse e Forcave Operacionale Shqiptare, është arrestuar pas informacioneve të autoriteteve kosovare se dyshohet që ka grabitur disa banesa dhe një makinë.
Së bashku me një tjetër shtetas, punonjësja e policisë, e identifikuar me inicialet V.D., është nisur nga Tirana për në Kosovë me një makinë me qira.
Mjetit i ishin hequr targat kosovare, duke ju rivendosur targa shqiptare të falsifikuara dhe më tej përdorej nga punonjësja e operacionales. Nuk dihet ende se çfarë është grabitur dhe sa është dëmi i shkaktuar.
Gruaja është ndaluar në orët e para të mëngjesit të së premtes dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore është duke kryer hetime të tjera për këtë rast duke marrë dëshmi dhe verifikuar targat e makinës.
Sipas të dhënave, personat që ka bashkëpunuar punonjësja e policisë, prezantoheshin si strukturë e posaçme e Policisë së Shtetit, duke përdorur dhe mjetet e identifikimit dhe simbolet e Policisë së Shtetit.
Këtë teknikë dyshohet se ajo e ka përdorur dhe në hyrje të kufirit mes dy shteteve, duke u prezantuar si punonjës policie në pikën e kalimit kufitar në Muriqan.
Nuk dihet nëse ajo të ekstradohet drejt Kosovës, ndërkohë që në Shqipëri, prokuroria e akuzon për veprën penale “vjedhje” e kryer në bashkëpunim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




