Gazeta Si – Me pranga në duar, me tuta të bardha dhe një xhup 45 vjeçari, Spartak Dyrmishi është dorëzuar në duart e policisë greke, e cila e kishte shpallur në kërkim për përdhunim.
Policia e Shtetit publikoi pamje të dorëzimit vullnetar të 45-vjeçarit nga Vlora, i cili do të gjykohet për përdhunimin e një shtetaseje dhe përdhunimin e një shtetaseje tjetër të mbetur në tentativë.
Autoritetet greke kishin kërkuar ndihmën e policisë shqiptare pasi kishin mësuar se Dyrmishi kishte hyrë në Shqipëri përmes pikës kufitare të Kakavijës. Mësohet se 45-vjeçari Dyrmishi është vënë në pranga në orët e vona të mbrëmjes së të hënës në Vlorë.
Pas arrestimit, policia njoftoi se Dyrmishi ka shprehur dëshirën për t’u dorëzuar tek policia greke. Për këtë arsye në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, ai i është dorëzuar policisë greke në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë.
Mësohet se gjatë mesnatës ka pasur një komunikim mes Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë greke, Konstantinos Skoumas, ku u vlerësua bashkëpunimi dhe reagimi mjaft profesional i policisë shqiptare.
Siç kanë raportuar më herët mediat helene, në këtë çështje është përfshirë direkt edhe ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarëve, Takis Theodorikakos, i cili ka biseduar me autoritetet shqiptare, pasi dyshohej se 45-vjeçari Dyrmishi ishte arratisur drejt Shqipërisë.
Lajmin për arrestimin e tij, e kanë bërë të ditur fillimisht mediat greke dhe më pas është konfirmuar edhe nga ministri grek i Mbrojtjes, Takis Theodhorikakos.

Sipas tij, Dyrmishi ndodhet në duart e policisë helene pas një bashkëpunimi të shkëlqyer me organet shqiptare të rendit.
Dyrmishi është identifikuar si përdhunuesi me tatuazh dhe mendohet se ka hyrë në Shqipëri përmes Kakavijës më 27 tetor 2022, pikërisht pak para se ai të identifikohej nga policia greke.
Dy gratë kanë njohur sulmuesin përmes fotove që kishte publikuar në rrjetet sociale dhe policia e Athinës ua kishte vendosur në dispozicion.
E vetmja foto që ata kishin nga personi ishte e 2022 pasi ishte në hetim për një ngjarje kriminale të rëndomtë, por se në atë kohë ai nuk ka pasur tatu në krah, thotë një zyrtare e policisë.
Καλό μήνα. Ύστερα από μεθοδική έρευνα και την ταυτοποίηση του δράστη και με άριστη συνεργασία με τις αλβανικές αρχές ασφαλείας, βρίσκεται στα χέρια της Ελληνικής Αστυνομίας ο φερόμενος ως δράστης του βιασμού της γυναίκας στο Παλαιό Φάληρο.
— Τάκης Θεοδωρικάκος (@theodorikakosp) November 1, 2022
“Muaji i mbarë. Pas një hetimi metodik dhe identifikimit të autorit dhe me bashkëpunim të shkëlqyer me organet e sigurisë shqiptare, autori i dyshuar i përdhunimit të gruas në Paleo Faliro ndodhet në prangat e policisë greke”, shkruan Takis Theodorikakos në postimin e tij në Twitter.
Sipas informacioneve, Takis Theodorikakos ka biseduar tre herë me homologun e tij shqiptar dje, 31 tetor duke kërkuar që të intensifikohen procedurat për gjetjen dhe dorëzimin e 45-vjeçarit tek autoritetet greke.
Sipas të njëjtave informacione, autoritetet shqiptare e kanë identifikuar 45-vjeçarin nga shenja e gishtit të celularit dhe pasi e kanë arrestuar, në orën 2 të mëngjesit të sotëm të ia kanë dorëzuar efektivëve grek.
Sipas mediave greke, 45-vjeçari ka qenë person problematik pasi konsumonte alkool dhe dhunonte edhe nënën e tij. Kjo e fundit, e cila jeton në Athinë, foli për mediat greke dhe e mohoi atë si djalë, duke konfirmuar se i biri pinte alkool dhe e dhunonte.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




