Ka ndodhur

Arrestohet për korrupsion kreu i Prokurorisë së Kukësit

Edmond Karriqi, drejtuesi i komanduar nga KLP në krye të Prokurorisë së Kukësit dhe Isuf Gega me detyrë sekretar në këtë prokurori, janë arrestuar me urdhër të SPAK me akuzën e korrupsionit.

Mësohet se SPAK, kishte zhvilluar hetime në kuadër të një procedimi penal nr 49/1 viti 2021 që bën fjalë për veprat penale “Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim dhe “korrupsioni pasiv i gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

Dyshohet se ai ka përfituar para në këmbim të favorizimit të personave të përfshirë në krime që kanë qenë nën hetim në Gjykatën e Kukësit.

"Nga veprimet e kryera për këtë procedim penal në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë të Policisë së Shtetit, janë siguruar dhe janë mbledhur prova konkrete, nga të cilat janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasi Edmond Kariqi, në cilësinë e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës ka kërkuar dhe ka marrë përfitime monetare të parregullta, me qëllim për të favorizuar disa persona nën hetim, të cilët kanë qenë duke u hetuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës", - informon SPAK.

Karriqi, edhe pse është caktuar drejtues i komanduar nga KLP në krye të Prokurorisë së Kukësit, emërimin e tij e ka si prokuror në detyrë në Prokurorinë e Lushnjës. Tre vite më parë Karriqi ka shërbyer si prokuror në Kavajë.

Burime shprehen se ndalimi i tyre është bërë në qendër të Kavajës, ku banon dhe prokurori. Policia ka pasur një mandat për të ushtruar kontroll edhe në banesën e tij.

Karriqi ka qenë dhe prokurori i dosjes së këngëtares nga Kosova Fjolla Morina, e cila u kap me armë zjarri në pikën kufitare të Morinit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë