Ngjarje

Arrestohet në Shëngjin reperi Noizy dhe Dj Crax, u përfshinë në sherrin e dhunshëm ndaj personazhit të Tik-Tok në Kosovë. Policia: Do ekstradohen

Gazeta Si - Pas shpalljes në kërkim nga policia e Kosovës, është arrestuar në Lezhë mbrëmjen e të martës reperi Rigels Rajku, i njohur si Noizy i akuzuar për plagosje të rëndë.

Përveç tij, në pranga ka rënë edhe Dj Crax, pasi të dy ishin shpallur në kërkim për një sherr masiv në Pejë pak ditë më parë pas një koncerti, ku dyshohet se dhunuan brutalisht personazhin e Tik Tok-ut, Medi Iseni dhe Bekim Hadërgjonajn.

"Kapja dhe arrestimi i tyre u bënë me qëllim ekstradimin në Kosovë”, - thuhet në njoftimin e policisë shqiptare.

Rigels Rajku, u arrestua mbrëmjen e së martës nga policia e Lezhës në zonën e Kunes në Shëngjin. Sipas burimeve, reperi u ndalua nga një postobllok policie, teksa po shkonte për të performuar në një klub nate. Pas ndalimit, Noizy është dërguar në Tiranë ku edhe do t’i nënshtrohet procedurave ligjore.

"Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, nga Drejtoria e Forcës së Posaçame Operacionale, Sektori për Kërkimin, Njësia "FAST Albania" në Departamentin e Policisë Kriminale në PSH, është marrë informacion nga FAST Kosova, për 2 shtetas të kërkuar për llogari të Kosovës, që mund të fshiheshin në Shqipëri. Menjëherë, FAST Albania, bazuar në inteligjencën policore, bëri të mundur lokalizimin e 2 të kërkuarve, dhe në kuadër të operacionit policor "Fast", kapi në Lezhë dhe arrestoi 2 shtetasit e shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, konkretisht shtetasin R. R., nga Durrësi, dhe shtetasin B. B., nga Prishtina. Kapja dhe arrestimi i tyre u bënë me qëllim ekstradimin në Kosovë", - njofton policia.

Reagimi i Noizy-t dhe Stresi në kërkim

Më herët Noizy ka reaguar në rrjetet sociale, ku përmes një shkrimi në Instagram ai shprehet ky denoncim është i padrejtë dhe nuk ka lidhje me ngjarjen e ndodhur. Këngëtari ka kërkuar ndjesë për personat që janë shqetësuar nga reagimi i tij, pasi siç thotë ai, “nuk është përballur më parë me situata të tilla”.

Noizy sqaroi se nuk ndodhet në arrati, por po ndjek rrugën ligjore dhe se do të sqarojë situatën e plotë, ku reperi shprehet se ka rënë viktimë, pa pasur asnjë lidhje me rastin në fjalë.

Po ashtu, Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, ka shpallur në kërkim edhe reperin tjetër, Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi, i cili njihet si mik i ngushtë i Noizy-t.

Këngëtari dhe DJ i tij u kërkuan nga autoritetet kosovare pas sherrit të ndodhur në Pejë, në përfundim të koncertit të tyre, ku tiktokeri Medi Iseni u rrah brutalisht.

Si nisi përleshja që përfundoi me dy të plagosur

Sherri mes pjesëtarëve të grupit OTR dhe personazhit të njohur të Tik-Tok Muhamet Iseni, i njohur si Medi ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 2 gushtit në klubin e natës “Sancy” në Pejë.

Shkak i përleshjes dyshohen videot të Tik-Tok të Medit, i cili prej kohësh ofendon reperat Noizy dhe Stresi. Vetë Stresi dhe Noizy kanë deklaruar se nuk kanë lidhje me sherrin dhe nuk kanë ndërhyrë për të rrahur Medin Isenin, me të cilin kishin zënka në rrjetet sociale.

Medi Iseni nga ana tjetër akuzon se “u pre në besë” nga Stresi, i cili dyshohet se e kishte ftuar për ta takuar, por ndërkohë ishte një “kurth”, për ta vendosur në të njëjtin ambient me Noizyn dhe grupin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë