Ka ndodhur

Arrestohet në Kavajë 55-vjeçari i kërkuar nga Italia për shfrytëzim prostitucioni

Policia e Kavajës ka arrestuar një 55-vjeçar të shpallur në kërkim, me qëllim ekstradimi drejt Italisë.

“Nga Komisariati i Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Interpol Tirana, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, në Rrogozhinë, u kap dhe u ndalua shtetasi në kërkim ndërkombëtar Xheladin Deda, 55 vjeç, banues në Rrogozhinë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë, ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Torinos e ka dënuar këtë shtetas me 4 vite e 4 muaj burg për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Dhunë seksuale”.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë