Drejtësia

Arrestohet në Abu Dhabi i shumëkërkuari Dritan Gjika

Dritan Gjika kreu i mafies shqiptare të trafikut të drogës në Ekuador, është arrestuar ditën e sotme në Abu Dhabi me qëllim ekstradimi në Ekuador. 47-vjeçari shqiptar konsiderohet edhe si një prej drejtuesve më të rëndësishëm të trafikut të drogës nga Kolumbia dhe Ekuadori drejt Bashkimit Evropian.

47-vjeçari Dritan Gjika, ka mbërritur për herë të parë në Ekuador para më shumë se 9 vitesh me vizë vizitori të përkohshëm, sipas të dhënave të tij të migracionit.

Ai u bë një nga personat më të kërkuar në vend, pasi udhëhiqte një organizatë kriminale që operonte si në Ekuador ashtu edhe në Spanjë, duke dërguar sasi të mëdha të substancave narkotike në vendet e Amerikës Qendrore dhe në Europë (në veçanti në Holandë, Belgjikë dhe Spanjë).

Struktura kriminale që ai drejtonte përfshinte një nivel drejtues, logjistikë dhe bashkëpunëtorë që punonin në realizimin e veprave penale, me ndihmën e kompanive të ligjshme që përdornin për pastrimin e parave dhe fshehjen e veprimtarive tregtare e financiare, ndërsa akuzohen se pastruan mbi 43 mln dollarë të mafias shqiptare të kokainës.

Më 6 shkurt 2024, Dritan Gjika u identifikua nga Prokuroria e Përgjithshme e Ekuadorit si drejtues i operacioneve të mafias shqiptare në këtë vend, pas një bastisjeje në një banesë në një lagje rezidenciale të Guayaquil-it. I ndaluari aktualisht do t’i dorëzohet autoriteteve përkatëse për të vijuar me procedurën e ekstradimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë