Gazeta Si – Elvis Gaçaj, i njohur si anëtar i “Klanit Duka”, u arrestua në Tiranë, pasi mbante armë zjarri me vete, ndërsa më herët ka qenë i dënuar disa herë për armëmbajtje pa leje, lëndë narkotike dhe për vjedhje me dhunë.
Policia njofton se Gaçaj po lëvizte si pasagjer me mikun e tij Marsel Dobi në një makinë “Volkswagen” në rrugën “Ramazan Demneri” në kryeqytet dhe pas kontrollit iu gjet pistoleta me municion luftarak dhe një sasi lëndë narkotike kanabis.
“Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shigjeta”, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar në planin e masave si dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se dy shtetas po lëviznin të armatosur, në automjet, në rrugën “Ramazan Demneri”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Again”, për kapjen e tyre. Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin tip “Volksëagen”, me drejtues shtetasin Marsel Dobi dhe pasagjer shtetasin Elvis Gaçaj. Gjatë kontrollit fizik të shtetasit Elvis Gaçaj, sherbimet e Policisë “Shigjeta” gjetën e sekuestruan një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një sasi lëndë narkotike kanabis”, – informoi sot policia e Tiranës.
Gaçaj u dyshua edhe për vrasjen e Santiago Malkos në Tiranë, ndërsa është arrestuar në Durrës më herët në vitin 2019 po për armëmbajtje pa leje.
Fillimisht Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë e dënoi me 7 vite burg, por Gjykata e Posaçme e Apelit e prishi vendimin dhe e riktheu çështjen për rigjykim.
Gjatë fazës së gjykimit nuk janë gjetur prova për lidhjen e Gaçajt me vrasjen e Santiago Malkos dhe çështja është ndarë duke i kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “armëmbajtjes pa leje”.
Gaçaj u prangos edhe në prill të vitit 2018 bashkë me Leonard Dukën, në një apartament pranë gjimnazit “Partizani”.
Emri i Elvis Gaçajt do të dilte në skenë në atentatin e 1 tetorit të 2015. Ai i shpëtoi masakrës, ku mbetën të vrarë dy persona, Aurora Oskia dhe Kevin Rrugova, të cilët ishin në makinë më të.
Elvis Gaçaj akuzohet edhe për parcelat e hashashit në zonën e Shëngjergjit, si personi që i dispononte dhe financonte me lëndë narkotike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.