Futboll dhe xhelozi. Një rast shumë i shëmtuar futbolli dhe kronike njëkohësisht ka përfshirë skuadrën e femrave të PSG-së. Të enjten e kaluar, Kheira Hamraoui, kampione Europe me Barcelonën, është sulmuar dhunshëm dhe është goditur në këmbë nga dy persona të maskuar, teksa kthehej në shtëpi me makinë, bashkë me shoqen e skuadrës, Aminata Dialo.

Mëngjesin e sotëm hetimet kanë marrë një kthesë të pabesueshme, Dialo është arrestuar nga policia, sepse nga hetimet është zbuluar se është pikërisht ajo që e ka organizuar dhunën ndaj shoqes për shkak të xhelozisë dhe fanellës së titullares, që i takon Hamraouit dhe jo asaj.
Lajmi i arrestimit është konfirmuar edhe nga PSG me një komunikatë, ku shkruhet: “PSG konfirmon se Aminata Dialo është arrestuar pas sulmit ndaj një prej lojtareve të klubit të enjten e kaluar. Klubi dënon ashpër dhunën dhe prej së enjtes janë marrë të gjitha masat për të garantuar shëndetin dhe sigurinë e gjithë skuadrës së femrave”. Skuadra franceze po bashkëpunon me policinë për ngjarjen.

Hamraoui, mesfushorja 31-vjeçare, nuk luajti të martën në Ligën e Kampionëve ndaj Real Madrid për arsye personale dhe u zëvendësua pikërisht nga Dialo. Motivet personale këtë mëngjes janë zbuluar nga lajmet e kronikës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




