Drejtësia

SPAK arreston Safet Gjicin. Po u provua akuza për korrupsion pasiv, ish-kryebashkiaku i Kukësit rrezikon 2-8 vjet burg

Nga Gazeta 'SI' - Ish-kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici është arrestuar sot nën akuzën e korrupsionit. Mësohet se arrestimi vjen me urdhër të SPAK.

Mbi Gjicin rëndon akuza për korrupsion pasiv dhe sipas Kodit Penal mund të dënohet me burgim nga 2 deri në 8 vjet.

Ish-kryebashkiaku i Kukësit Safet Gjici është prangosur teksa ndodhej në një bar-kafe pranë banesës së tij në Tiranë.

Safet Gjici ka dhënë gjeneralitetet për policinë në prani të avokatit të tij Përparim Kulliri dhe në vijim do të dërgohet në Bllokun e Sigurisë. Sipas avokatit, akuza e korrupsionit pasiv nuk qëndron pasi projekti që është premtuar nuk është vënë në zbatim, nuk ka një numër protokolli që mund të faktojë akuzën ndaj ish-kryebashkut të Kukësit.

Kryetari i rikonfirmuar nga zgjedhjet e 14 majit për Bashkinë Kukës dha dorëheqjen pas publikimit të një videoje duke kryer marrëdhënie intime me një vajzë në zyrë.

Menjëherë pas publikimit të videos, SPAK nisi hetimet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Gjici hodhi akuza ndaj kundërshtarëve politike duke thënë se e kanë futur në kurth pasi nuk e mposhtën dot në zgjedhjet lokale të 14 majit.

SPAK dyshon se Gjici ka favorizuar për t'i dhënë përkrahje financiare shtetases Alma K, me vendim të Këshillit Bashkiak, mbi një projekt për strehimin dhe kujdesin ndaj qenve endacakë në qytet.

Të dy kanë pretenduar se kishin një lidhje intime me njëri-tjetrin përpara se të flisnin në zyrën e shtetit për tender e favorizime dhe pasi kishin kryer marrëdhënie seksuale.

Një javë pas video-skandalit ku shfaqet duke kryer marrëdhënie intime në zyrën e Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici ka përfunduar prapa hekurave. Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK, për ta vënë në pranga kryebashkiakin socialist të dorëhequr, për veprën penale korrupsion pasiv.

Pas publikimit të pamjeve bruto prej 13 minutash, një tjetër video u publikua në media, ku Alma Kaçi kërkonte nga ish-kryebashkiaku që t'i jepte firmës së saj, tenderin për menaxhimin e qenve endacakë në qytetin verilindor të vendit.

Për të përmbushur kërkesen e 40-vjeçares, Gjici ,siç duket dhe nga pamjet filmike të publikuara, thërret nënkryetarin Granit Gjana që ta ndihmonte me dokumentacionin që Alma Kaçi të përzgjidhej fituese.

Sipas SPAK, është pikërisht kjo video që ngre dyshime të arsyeshme se dy protagonistët në videon intime Gjici dhe Kaçi kanë konsumuar elemëntë të veprave penale të parashikuara në legjislacionin në fuqi.

51-vjeçari Safet Gjici akuzohet për veprën penale të “korrupsionit pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” neni 260 i Kodit Penal, ku nëse do provohet akuza. ai mund të dënohet me burg nga nga 2, deri në 8 vjet.

40-vjeçarja Alma Kaçi, akuzohet  për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë“, neni 245 i Kodit Penal, ku nëse do provohet akuza, ajo mund të dënohet me burg nga një deri në 5 vjet. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë