Gazeta Si – Andrei Medvedev, ish-komandant i grupit paraushtarak rus Wagner, të cilin e braktisi për të ikur në Norvegji, u arrestua sipas ligjit të imigracionit të vendit nordik.
Medvedev kishte kaluar ilegalisht kufirin norvegjez rreth dhjetë ditë më parë dhe tha se ishte i gatshëm të bashkëpunonte me hetuesit për të treguar krimet e kryera nga ish-shokët e tij.
Arsyet e sakta të arrestimit nuk janë specifikuar, por avokati i tij, tha se kjo ishte për shkak të “shkeljeve të rregulloreve të sigurisë”.
Avokati i tij tha gjithashtu se ka “zero shanse” që klienti i tij të ekstradohet në Rusi. Medvedev është ushtari i parë i njohur i Grupit Wagner i punësuar në Ukrainë që ka dezertuar.
Gazeta britanike “Guardian” kishte folur me Medvedev para se të largohej nga vendi i tij.
“Unë luftova në Bakhmut, duke komanduar Skuadrën e Parë të Togës së 4-të të Detashmentit të 7-të Sulmues”, shpjegoi Medvedev më 20 dhjetor, duke shtuar se ai kishte qenë i fshehur në Rusi që nga largimi i njësisë së tij Wagner në korrik.
Medvedev tregoi gjithashtu se njësia e tij përbëhej kryesisht nga ish të dënuar të dërguar në front si “ushqim për top”.
“Të burgosurit përdoren si mish për top. Më caktuan një grup të burgosurish. Në togën time, vetëm tre burra nga 30 mbijetuan.
Medvedev tha gjithashtu se ai dinte për të paktën 10 vrasje të ushtarëve të Wagner-it që nuk ishin bindur dhe se ai personalisht kishte qenë dëshmitar i disa ekzekutimeve.
“Komandantët i çuan në një poligon dhe u qëlluan në sy të të gjithëve. Grupi i të drejtave të njeriut Gulagu.net, i cili ka qenë në kontakt me Medvedev që nga udhëtimi i tij në Norvegji, publikoi një intervistë me Medvedev në të cilën ai detajoi arratisjen e tij dramatike.
“Kur isha në akull në kufi, dëgjova qentë që lehnin, u ktheva, pashë njerëz me elektrik dore, rreth 150 metra larg, që vraponin në drejtimin tim”, – shpjegon Medvedev në një video. “Dëgjova dy të shtëna, filluan plumbat”.
Mbeten shumë pikëpyetje në lidhje me historikun e Medvedevit dhe rrethanat e arratisjes së tij, me disa ekspertë që thonë se ai nuk mund të kishte kaluar kufirin e ruajtur shumë pa një lloj ndihme nga jashtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.