Ka ndodhur

Arrestohet ish-çifti italian, dyshohet se pastronin paratë në Shqipëri: Kaluan 80 mln euro cash me Lamborghini!

Gazeta Si – Stefania Nobile, vajza e Wanna Marchi-t, e njohur si “mbretëresha e telemarketingut” dhe Davide Lacerenza në Itali, ish-partneri i saj dhe pronari i “Gintoneria”, një lokal për VIP-at në Milano, janë arrestuar, pasi dyshohet se kanë drejtuar një grup vajzash të cilat ushtronin prostitucion dhe shpërndanin drogë.

Ndërsa lajmi ka bërë bujë përtej Adriatikut, mediat italiane kanë nxjerrë detaje, teksa ngrenë dyshime për pastrim parash në Shqipëri nga ana e tyre përmes investimeve në biznese në Tiranë dhe Durrës.

Sipas mediave italiane që citojnë hetuesit, thuhet se 61-vjeçarja Nobile, në bashkëpunim me ish-partnerin e saj 60-vjeçar, kanë investuar në Shqipëri paratë e fituara në mënyrë të paligjshme në lokalin “Gintoneria” në via Napo Torriani.

Megjithatë, në dosjen hetimore, ka një tjetër front të hapur. Dhe ka të bëjë me dyshimin e pastrimit të parave, që sheh vetëm Lacerenza-n nën hetim.

Në një story në Instagram të publikuar në prill të vitit të kaluar, themeluesi i “Gintoneria”-s, “duke njoftuar një tjetër udhëtim të Nobiles dhe Marchit në Shqipëri”, në bordin e një makine tip “Lamborghini Urus”, aludon për “80 milionë euro në para cash në bankë”.

Në “videon e regjistruar në mbrëmjen e 5 majit”, Lacerenza “i referohet parave të sjella në Shqipëri nga Marchi”.

Sipas hetuesve, në fakt do të ishte Novile që do të “menaxhonte të gjitha llogaritë rrjedhëse dhe t’i sugjeronte Lacerenzës se ku t’i çonte transferimet, në veçanti në llogaritë e huaja” për t’i shpëtuar kontrolleve.

Hetimet tregojnë gjithashtu se si Stefania Nobile, “së bashku me nënën e saj, shpesh shkon në Shqipëri, ku asgjë nuk e pengon atë nga riinvestimi i parave të fituara në të zezë, që ajo nuk mund t’i justifikojë vetëm në bazë të aktivitetit të saj sipërmarrës”, lexohet në dosjen hetimore, e cila nënvizon synimin e gruas për të hapur një restorant tjetër në Tiranë dhe udhëtimet më të fundit në Shqipëri.

Në veçanti, transfertat më të mëdha do të kishin vërshuar në dy llogari rrjedhëse të huaja, ku ish-çifti lëvizi fitimet.

“Lacerenza mburrej në bisedat e përgjuara se kishte lëvizur 80 milionë euro në Shqipëri me Nobilen”, thuhet në vendimin e masën paraprake të sigurisë.

“Përjashtoj totalisht që Stefania Nobile të favorizonte apo të shfrytëzonte prostitucionin, edhe sepse sipas të njëjtës akuzë, ajo nuk ka dhënë asnjë kontribut të drejtpërdrejtë dhe as ka marrë fitime direkte”, sqaroi avokati i saj, Liborio Cataliotti, i cili apeloi vendimin kundër “arrestit shtëpiak”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë