Bota

Arrestohet Calin Georgescu, kandidati pro-rus (ende favorit) që fitoi zgjedhjet në Rumani

Gazeta Si – Calin Georgescu, kandidati pro-rus populist presidencial në Rumani dhe ende favorit, pasi fitoi çuditërisht raundin e parë të zgjedhjeve, i cili më pas u anulua për shkak të ndërhyrjes së dyshuar të Moskës në favor të tij, u arrestua nga policia për t’u marrë në pyetje.

Prokurorët lëshuan një urdhër-arresti ndaj tij dhe sërish në kuadër të hetimeve të tyre për financimin e fushatës, kryen 47 kontrolle në qarqe të ndryshme, duke filluar nga shtëpitë e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë. Midis tyre, Horațiu Potra, lideri mercenar aktiv në Afrikë.

Mediat rumune raportojnë se janë nën hetim 27 persona në pozita të ndryshme për financim të paligjshëm të fushatës së tij elektorale, me akuza të mëtejshme për “krijimin e organizatave fashiste dhe raciste”, si dhe akuza të tjera, përfshirë “nxitje të urrejtjes publike dhe falsifikim të dokumenteve financiare”.

Georgescu reagoi si gjithmonë në Faceook duke deklaruar se kontrollet kishin për qëllim bllokimin e kandidaturës së tij të re për president.

“Calin Georgescu ishte gati të paraqiste kandidaturën e tij të re për presidencën. Rreth 30 minuta më parë, regjimi e ndaloi në trafik dhe u ndalua për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë e Përgjithshme! Ku është demokracia, ku janë partnerët që duhet ta mbrojnë demokracinë?”, lexohet në një postim.

Gati ishte dhe reagimi i politikanëve pranë kandidatit të pavarur. Kreu George Simion dhe deputetët e Aleancës për Unitetin e Rumunëve njoftuan menjëherë se do të shkojnë në prokurori për të kërkuar “shpjegime”.

Georgescu e ka mohuar gjithmonë se është pro Putinit, por deklaratat e tij të fundit përsërisin propagandën e Kremlinit: “Ukraina është një shtet artificial – ishte Republika Socialiste Sovjetike e Ukrainës. Jam 100% i bindur se do të ndahet”, tha ai në një intervistë një muaj më parë, duke pretenduar disa rajone ukrainase për Rumaninë, ato me popullsi rumune, dhe duke lënë të kuptohet se Polonia dhe Hungaria do të kenë të drejtën për territore.

Pas tërmetit gjeopolitik që solli kthimi i Tump në Shtëpinë e Bardhë, nuk është më vetëm Moska që “synon” për Georgescu-n, por edhe Uashingtoni.

Për javë të tëra, autoritetet rumune kanë qenë nën presion të fortë nga administrata e SHBA për të mos penguar kandidimin e Georgescu-t në zgjedhjet e 4 majit.

Nënkryetari JD Vance, në Konferencën e Sigurisë së Mynihut kritikoi publikisht Rumaninë për anulimin e zgjedhjeve të vitit të kaluar, duke e konsideruar atë një shembull të represionit politik kundër grupeve populiste.

Zëvendësi i Trump, gjithashtu në një intervistë me “Ëall Street Journal”, akuzoi Europën se ka një demokraci të dobët, në të cilën zërat populistë heshten dhe etiketohen si “dezinformim”.

Prej disa kohësh edhe Elon Musk është aktiv në Rumani. Në një postim në  platformën e tij “X”, shkruan se “Rumania e meriton sovranitetin e saj”.

Postimi ka marrë mbi 9 milionë shikime dhe është i katërti, brenda pak javësh, ku Musk komenton politikën rumune.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë