Gazeta Si – Fshihej në një vendpushim luksoz në bregdetin e Amalfit, me një çmim prej një mijë eurosh për një natë në Vietri sul Mare, në provincën e Salernos, ku karabinierët e gjurmuan.
Kjo i dha fund statusit si i arratisur të Roberto Mazzarella-s, kreut të klanit me të njëjtin emër që sundonte Napolin dhe provincën e tij.
Sipas mediave italiane, Mazzarella nuk bëri rezistencë, edhe pse ishte në listën e personave të arratisur dhe shumë të rrezikshëm të Ministrisë së Brendshme.
I lindur në vitin 1978, Mazzarella kishte qenë i arratisur që nga 28 janari 2025 dhe i kishte shpëtuar kapjes pas një urdhri paraprak paraburgimi të lëshuar nga Gjykata e Napolit me kërkesë të Drejtorisë Antimafia të Napolit, me akuzat për vrasje të rënduar me metoda mafioze.
Mazzarella, i renditur i katërti në listën e të arratisurve më të rrezikshëm në Itali, akuzohet si autor dhe nxitës i vrasjes së një burri të pafajshëm, Antonio Maione, i vrarë në një dyqan ushqimesh në Napoli më 15 dhjetor 2000, si rezultat i një hakmarrjeje të udhëhequr nga klani kundër tij, pasi ai ishte vëllai i vrasësit me pagesë që ekzekutoi Salvatore Mazzarella-n, babain e Robertos.
Hakmarrja ndodhi në San Giovanni a Teduccio, një periferi lindore e kryeqytetit dhe fortesa historike e klanit, e cila u krye me një pritë me armë zjarri.
Autorët dhe nxitësi i asaj vrasjeje u identifikuan njëzet e katër vjet më vonë me urdhër-arrestin e lëshuar për Roberto Mazzarella-n më 28 janar 2025.
Në atë rast, bosi arriti t’i shmanget kapjes. 48-vjeçari, po qëndronte në një vendpushim luksoz dhe u gjet në një vilë në Bregun e Amalfit, ku ishte regjistruar me emra të rremë për të kaluar Pashkët me familjen e tij.
Në vendpushimin ku po qëndronte, karabinierët gjetën tre ora luksoze, afërsisht 20,000 euro para cash, dokumente të falsifikuara, telefona celularë dhe dorëshkrime që lidhen me një sistem të mundshëm kontabiliteti, i cili do të hetohet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje