Nga Gazeta Si- Bashkëshorti i kandidates së PD, Elda Hoti, Ladi Ndoja është arrestuar pas një incidenti të ndodhur në Rrëshen.
Së bashku me të është arrestuar edhe Amarildo Jushi. Këta dy persona po ndiqnin Renuar Kalaj, drejtor i Zyrës Arsimore, dhe Aleksandër Doda, Drejtor i Shëndetit Publik. Po këta drejtorë, po ndiqnin një person tjetër, Akil Ndoji.
Arrestimi i tyre u bë mbrëmjen e të dielës rreth orës 20:20 pasi me dy automjetet e tyre i kanë bllokuar rrugën automjetit që drejtohej nga Kalaj dhe me pasagjer Doda, me pretendimin se po kryenin veprimtarinë e blerjes së votave.
Policia ka shoqëruar në komisariat të dyja palët dhe pas kontrollit në makinën e Ndojës, u gjetën dhe sekuestruan lista me të dhëna personash, të dyshuara si lista zgjedhësish, ndërsa në automjetin Kalajt nuk u gjet asnjë send i kundërligjshëm.
Gjithashtu, pas testit të alkoolit, rezultoi se Ndoja drejtonte automjetin në gjendje të dehur.
Ladi Ndoja akuzohet për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”
Kurse Amarildo Jushi akuzohet për veprat penale “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
Pas publikimit të ngjarjes, Kandidatja e PD, Elda Hoti ka reaguar me një postim në Facebook, ku shkruan se “Ulsi Manja dhe çdo vegël politike që përdor Policinë e Shtetit për interesa të pushtetit do të mbajnë përgjegjësi për çdo veprim të paligjshëm”.
“Ditët e frikësimit, fabrikimeve dhe shtypjes së zërit opozitar janë drejt fundit. Ata që blenë vota dhe shantazhuan votuesit janë të lirë dhe po rendin nga qendra në qendër votimi, Aleksander Dodaj, Renuar Kolaj dhe të gjithë kriminelët elektoral, i keni bërë llogaritë gabim. Njëshat nuk ka regjim që i ndal”, shkruan Hoti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.