Ka ndodhur

Arrestohet administratori i një guroreje në Krujë pa asnjë dokumentacion

Gazeta Si - Një 34-vjeçar është arrestuar nga policia në Krujë, pasi ushtronte veprimtarinë në gurore në kundërshtim me ligjin.

Ai është administrator i një guroreje që ushtronte aktivitetin e nxjerrjes dhe përpunimit të materialeve interte dhe gurore pa asnjë dokumentacion.

“Në kuadër të fazës së tretë të operacionit, në datën 26.01.2023, u arrestua në flagrancë shtetasi D. P., 34 vjeç, banues në Krujë, pasi nga kontrolli i ushtruar në subjektin gurore që ai administronte, u konstatua se nuk dispononte dokumentacionin përkatës për ushtrimin e aktivitetit të nxjerrjes dhe përpunimit të materialeve inerte e gurore”, njoftoi policia.

I riu akuzohet për veprat penale “Shpërdorimi i tokës”, “Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës”, “Prerja e paligjshme e pyjeve“, “Transportimi i mbetjeve toksike” dhe “Prerja e drurëve dekorativë e frutorë”.

Policia thotë se operacioni vijon deri në përfundimin e kontrollit të plotë të territorit, për të verifikuar dhe për të kontrolluar të gjitha subjektet që ushtrojnë aktivitetet e nxjerrjes dhe të përpunimit të materialeve inerte dhe gurore.

Më herët, gjatë fazës së parë dhe të dytë të këtij operacioni është arrestuar në flagrancë administratori i një guroreje që nuk dispononte asnjë dokument, si dhe janë proceduar penalisht 6 shtetas, administratorë të 6 guroreve, për mungesë dokumentacioni, ndotje ajri dhe shpërdorim toke


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë