Policia e Tiranës njoftoi se ka arrestuar administratorin e firmës së importit të bananeve, “Alba Exotic Fruit”, në kontenierët e së cilës u kap një sasi e madhe kokaine vitin e kaluar.
I arrestuari është 51-vjeçari nga Tirana me inicialet E.D. Ai ishte shpallur në kërkim pasi ndaj tij ishte vendosur masa e sigurisë arrest me burg për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Gjatë operacionit të koduar “Rada”, në mes të korrikut të vitit të kaluar, policia sekuestroi disa herë sasi të konsiderueshme kokaine në kontenierët e kompanisë “Alba Exotic Fruit”.
Nga korriku deri në tetor të vitit të kaluar, në një seri operacionesh të Policisë së Shtetit u sekuestruan disa herë sasi lëndësh droge kokainë në kontenierët me banane të kompanisë “Alba Exotic Fruit”. Dërgesat varionin nga 7 deri në 40 kilogramë drogë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.