Ka ndodhur

Arrestohet 41-vjeçari në Rinas, tregtonte drogë të klasit A në Angli. U zbulua nga ‘Encrochat’

Gazeta Si – Tre persona të shpallur në kërkim për trafik droge dhe kalim të kufirit në mënyrë të paligjshme, janë arrestuar nga Policia Kufitare në Rinas.

Një prej tyre, Denis Xhelili, 41 vjeç dhe banues në Vlorë, i cili ‘furnizonte’ Anglinë me drogë të klasit A, është dënuar me 13 vjet e 4 muaj burg, për veprat penale “Komplot për furnizim me drogë të klasit A” dhe “Komplot për t’u shmangur nëpërmjet mashtrimit nga ndalimi i importimit të një droge të klasit A”.

Xhelili rezulton në kategorinë “Deportiv” nga Mbretëria e Bashkuar dhe operacioni i policisë në Rinas u realizua pas analizës së riskut, intervistimeve të thelluara, verifikimeve të dokumenteve të udhëtimit dhe shkëmbimit të informacionit me partnerët ndërkombëtarë.

Më herët, ai u shpall fajtor nga një gjykatë në Londër, pasi planifikonte të trafikonte në Angli mijëra kilogram kokainë dhe heroinë nga Amerika Latine, Azia Jugore dhe Lindja e Mesme.

Para 3 vjetësh, policia londineze zbuloi se i dyshuari, përmes një kompanie kargo dhe falë lidhjeve me aktorë të tjerë në disa vende të botës, kishte nisur përpjekjet për importin e lëndëve narkotike.

Gjykatës, i tha prokurori çështjes, se Xhelili planifikonte të sillte në Angli 3.058 kg Kokainë dhe 2375 kg Heroinë.

Nëse do të ishte i suksesshëm tha prokurori, përfshi edhe perzjerjen e mundshme, me vlerën e shitjes në rrugë ai do të përfitonte 361 milionë stërlina.

Sëbashku me partnerin e tij Sulaiman Bawa, Xhelili u zbulua nga përdorimi telefonave të kriptuar “Encrochat”. Ai e përdorte “Encrochat”-in me emrin “QuailStar”.

Ndërkoh, në pranga ka rënë edhe një 38-vjeçar, i cili rezulton se është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 2 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”.

“V. S., 38 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas udhëtonte nga Belgjika dhe është ndaluar në hyrje të R. Sh., ku pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 2 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”, informon policia.

Ndërkohë, i arrestuari i tretë është personi me inicialet M. M., për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit”.

“M. M., banues në Korçë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor ka vendosur konvertimin e dënimit nga gjobë në burgim, për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë