Nga Gazeta 'Si'-Autoritetet në Kosovë njoftuan se tetë zyrtarë të Doganës së Kosovës dhe një pjesëtar i Policisë Kufitare janë arrestuar gjatë aksionit të 18 nëntorit në veri të Kosovës nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit.
Në një komunikatë të përbashkët, Prokuroria Speciale, Dogana dhe Inspektorati Policor i Kosovës thanë se bastisje u kryen në 11 lokacione.
“Prokuroria Speciale njofton se kontrolli është bërë me qëllim të mbledhjes së provave dhe ndalimit të nëntë zyrtarëve të dyshuar për veprat penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘Marrja e ryshfetit’”, u tha në njoftim.
Sipas Prokurorisë Speciale, operacioni u krye pas një hetim të gjatë.
Autoritetet bënë të ditur se gjatë bastisjeve janë sekuestruar prova materiale për të mbështetur procedurën hetimore, sikurse: 20 plomba zyrtare të Doganës, dhjetë telefonë dhe katër sim kartela, një pistoletë me leje me tre karikator dhe nëntë fishekë dhe 16 copë municion jozyrtar.
Më herët, zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Luftiu, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se aksioni u zhvillua mëngjesin e së shtunës në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Po ashtu, nga Policia e Kosovës thanë se kanë asistuar gjatë bastisjeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.