Ka ndodhur

Arrestohen kryeinspektori dhe 3 inspektorë të IMT-së në Dibër

Policia e Dibrës ka ndaluar kryeinspektorin e Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në Dibër së bashku me tre inspektorë për shkak se kishin favorizuar dy shtetas të ndërtonin pa leje.

Me akuzën e shpërdorimit të detyrës, në pranga kanë rënë:

Fitim Raska, 33 vjeç, banues në Arras, Dibër, me detyrë kryeinspektor i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Dibër;

Jetmir Osmani 32 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë inspektor i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Dibër;

Shpëtim Iskurti, 51 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë inspektor i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Dibër.

Agush Cena, banues në Peshkopi, me detyrë inspektor i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Dibër.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit Ermal Xhaka, 37 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë ish-kryeinspektor i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Dibër.

Ndalimi i tyre dhe shpallja në kërkim e Xhakës, u bë për veprën penale “Shpërdorim detyre”, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke qenë me detyrë të ngarkuar për inspektimin, monitorimin dhe kontrollin e territorit në juridiksionin e bashkisë Dibër, nuk kanë ushtruar kontrollin konform ligjit dhe kanë përpiluar akte administrative fiktive në lidhje me kontrollet e zhvilluara, duke lejuar shfrytëzimin e një hapësire publike në pronësi të Bashkisë Dibër, për të kryer ndërtim të paligjshëm në emër dhe për llogari të përfituesve, shtetasve Sh. B. dhe B. B..

Po në vijim të hetimeve, ka nisur procedimi penal dhe për shtetasit B.Sh., 62 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë drejtor i DPKZHT-së bashkia Dibër, A. C., 29 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë përgjegjës i Kontrollit Territorit dhe E. Sh., 41 vjeç,  banues në Peshkopi, me detyrë përgjegjës i Sektorit të Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit.

Procedimi penal ndaj tyre ka nisur pasi dyshohen se kanë konsumuar elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës, pasi kanë lëshuar leje rikonstruksioni për shtetasin Sh. B. dhe nuk kanë kryer procedurën përkatëse për ushtrimin e kontrollit në territor për zbatimin e lejes së lëshuar. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë