Gazeta Si – Zyrtari i Drejtorisë së Urbanistikës së Bashkisë Sarandë, Ariel Balani, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, pasi duke përfituar nga posti i tij, ka favorizuar për ndërtime dhe legalizime të objekteve pa leje.
Vetë SPAK, njofton se Balani ka konsumuar veprën penale, “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Balani, ka ushtruar ndikim të paligjshëm tek Agjencia Kombëtare e Bregdetit, në vitin 2021 për t’iu nxjerrë lejen e shfrytëzimit të plazhit, dy personave, të cilët kishin ndërtuar një objekt.
Sipas SPAK, zyrtari u kishte kërkuar 12 mijë euro dhe fillimisht mori 6 mijë euro. Por paratë i ktheu, pasi marrëveshja nuk u realizua.
Ndërkaq, një inspektor i IKMT-së në Sarandë, i identifikuar si shtetasi Julian Preni, në mars të vitit 2020, i ka kërkuar njërit prej dy personave të cilët do të bënin marrëveshjen me Balanin, shumën prej 7.500 eurosh, për të mos i prishur objektin që kishte ndërtuar në plazh Ksamil.
Inspektori mori 3.000 euro dhe objekti u prish në vitin 2021. Edhe për inspektorin, Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurisë “arrest në burg”, pasi ka konsumuar veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




