Ka ndodhur

Arrestohen dy vëllezër në Fier për kultivim kanabisi, iu gjendet edhe heroinë

Gazeta Si – Dy vëllezër janë vënë në pranga në Fier, pasi në banesën e tyre u gjet drogë gati për shitje. Policia zbuloi se ata kishin kultivuar 40 bimë kanabis.

Sipas policisë, u vunë në pranga shtetasit I. H., 49 vjeç dhe G. H., 44 vjeç (vëllezër). Gjatë kontrolleve në banesën e tyre, në fshatin Mbyet, shërbimet e Policisë gjetën sasi të lëndëve narkotike heroinë dhe kanabis sativa, të ndara në rreth 90 doza të gatshme për shitje, si dhe një armë gjahu që posedohej pa leje.

Në vijim, gjatë kontrolleve në afërsi të banesës, u gjetën të kultivuara 40 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, dozat e lëndëve narkotike dhe arma e gjahut, si dhe u asgjësuan nëpërmjet djegies, bimët narkotike.

Ata akuzohen për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë