Gazeta Si – Dy të rinj janë arrestuar, pasi u kapën duke transportuar në Luz të Fushë Krujës 6 thasë me kanabis, gjithsej 60 kilogramë.
Policia tha se kanë rënë në pranga, 35-vjeçari Kujtim Ujkaj, banues në Krujë dhe 26-vjeçari Abdurrahman Rizvani, banues në Mat.
Ndërkohë u shpall në kërkim një 28-vjeçar, S. D., i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale, si dhe R.D., 37 vjeç.
Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, mësohet se ata po transportonin një sasi lënde narkotike dhe janë ndaluar nga policia në Luz, Fushë-Krujë me automjetet me të cilat po qarkullonin.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me drejtues 35-vjeçarin, në pjesën e pasme, shërbimet e Policisë kanë gjetur 6 thasë me kanabis.
Ndërkohë, 26-vjeçari drejtonte një automjet tjetër pasi kontrollonte rrugën dhe njoftonte 35-vjeçarin nëse kishte prezencë të forcave policore.
Sipas burimeve, lënda narkotike po transportohej nga fshati Blerim i Fushë Arrëzit nga Abdurrahman Rizvani, i cili dyshohet se e ka kultivuar atje, dhe po ia sillte për shitje Kujtim Ujkajt.
Burime bëjnë me dije se një kilogram i kanabisit do të shitej në vlerë 1200 euro, që në total përkthehet në 72 000 euro.
Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me 2 automjetet, 2 celularë dhe një shumë parash.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.