Ka ndodhur

Arrestohen dy persona në Kavajë për grabitje me armë dhe kanosje

Gazeta Si – Dy persona, të akuzuar për disa grabitje në qytete të ndryshme të vendit, janë arrestuar në Kavajë gjatë operacionit të koduar “Shtegtarët”.

Në pranga kanë rënë B.D., 33 vjeç nga Thumana e Krujës dhe S.V., 28 vjeç nga Tirana. Në një lokal në Golem të Kavajë ata kanë vjedhur televizorë e sende të tjera dhe pas disa ditësh u kthyen sërish në të njëjtin lokal, ku kërcënuan me armë administratorin për të mos kallëzuar ngjarjen.

Gjithashtu nën kërcënimin e armës, u morën celularët 4 klientëve që të mos njoftonin policinë. Të dy këta autorë kanë vjedhur në një banesë në Kavajë, si dhe kanë tjetërsuar duke i çuar për pjesë këmbimi në Kukës, disa automjete të marra me qira.

Gjatë aksionit për kapjen e tyre, në Thumanë të Krujës iu sekuestrua një kallashnikov, municion luftarak dhe 7 milionë Lekë të vjetra. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës  së Shkallës së Parë Kavajë, për veprat penale  “Vjedhja me dhunë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Vjedhja” dhe “Kanosja për të mos kallëzuar”, kryer në bashkëpunim, për veprime të mëtejshme procedurale. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë