Gazeta Si - Babë e bir janë arrestuar në Memaliaj, pasi akuzohen si bashkëpunëtorë në vrasjen e 72-vjeçarit, Faik Ajdini, ngjarje e ndodhur mëngjesin e datës 20 gusht në fshatin Zhapokikë.
Sipas policisë, njëri nga të arrestuarit është bashkëpunëtor në kryerjen e vrasjes, ndërsa djali i tij ka përkrahur autorin e krimit.
Ndërkaq, vijon intensivisht puna për vënien në pranga të autorit tjetër të vrasjes, i cili u identifikua që dje nga policia, por për shkak të sekretit hetimor, nuk bëhen të ditura gjeneralitetet e tij.
Sakaq, dyshohet se 71-vjeçari i arrestuar ka organizuar dhe ka qenë aktiv në bashkëpunim me autorin tjetër në vrasje si dhe ka ndihmuar autorin e vrasjes, duke i siguruar kushte për të kryer këtë krim, ndërsa 43-vjeçari, duke mos kallëzuar këtë krim për të cilin dyshohet se kishte dijeni, ka përkrahur autorin.
Ndërkohë, sipas burimeve paraprake, dyshohet se shtetasi B.K., ka kryer vrasjen e 72-vjeçarit për një gardh në territorin që kufizonin banesat e tyre.
Konfliktet nisën verbalisht dhe kulmuan me vrasjen e të moshuarit me sëpatë.
Pas vrasjes, autori i dyshuar ka kërkuar ndihmën e Skënder e Bledar Hajdinit (babë e bir) për ta hedhur trupin në humnerë dhe fshehur vrasjen. Kjo i ka shndërruar ata bashkëpunëtorë në krim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.