Gazeta Si – Katër persona në Fushë Krujë janë arrestuar, pasi kërcënuan pronarin e një biznesi për të tërhequr kallëzimin që kishte bërë për vjedhje.
Sipas policisë, 42-vjeçari me iniciale S.H., dyshohet se kishte vjedhur një njësi tregtare makinash në pronësi të B.H. Ky i fundit kishte bërë kallëzim në polici pikërisht për 42-vjeçarin S.H.
Por autori i dyshuar, së bashku me 3 persona të tjerë që janë E.B. 25 vjeç, A.H. 18 vjeç dhe A.H. 18 vjeç, ka kanosur me armë zjarri shtetasin B. H., për të tërhequr kallëzimin.
Gjithashtu, nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi S. H. ka kultivuar bimë narkotike që janë gjetur në fshatin Picrragë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjahu çifte, 2 celularë dhe bimët e dyshuara narkotike kanabis.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
E ndërkohë për ngjarjen ka reaguar edhe Ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Ai ka përgëzuar punonjësit e policisë për parandalimin e një ngjarjeje kriminale në Krujë, teksa shton se ‘Do bëjmë gjithçka që në territorin e Shqipërisë të mos ketë më feude apo bajraqe, ku mbi ligjin dhe mbi qytetarët të jenë të fortët dhe nuk mund të ketë individë më të fortë’.
“Do bëjmë gjithçka që në territorin e Shqipërisë të mos ketë më feude apo bajraqe, ku mbi ligjin dhe mbi qytetarët të jenë të fortët dhe nuk mund të ketë individë më të fortë, sesa e bardha e vijave të rrugës apo e kuqja e ngjyrës së semaforëve. Përgëzoj Policinë e Shtetit për parandalimin e një ngjarje të rëndë kriminale në Krujë dhe ndalimin e personave që guxuan të kërcënojnë një qytetar, i cili kishte denoncuar një paligjshmëri”, shkruan Ministri i Brendshëm, Taulant Balla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




