Kosova

Serbia arreston ish-ushtarin e UÇK-së, Kosova thirrje ndërkombëtarëve për lirimin e tij

Nga Gazeta ‘Si’- Hasan Dakaj nga Prizreni, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është arrestuar ditën e djeshme(5 janar) nga autoritetet e Serbisë në pikëkalimin kufitar në Merdar, kur po kalonte kufirin për të shkuar më pas drejt Italisë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) ka dënuar, siç tha, ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe dhe kërkoi ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare për lirimin e tyre.

Përmes një njoftimi për media, MPJD mbrëmjen e 5 janarit bëri të ditur se autoritetet në Serbi kanë arrestuar dy qytetarë të Kosovës, Hasan dhe Xhavit Daka. Ky i fundit tashmë është liruar.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dënon ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ndërmarrë hapa konkretë për lirimin e menjëhershëm të qytetarit Hasan Daka dhe njëkohësisht të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive dhe që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, u tha në njoftim, pa dhënë detaje se për çfarë arsye është arrestuar Daka.

Autoritetet në Kosovë thanë se për rastin kanë njoftuar zyrën e Bashkimit Europian në Serbi si dhe Ambasadën e Shteteve të Bashkuara dhe të Britanisë së Madhe.

MPJD tha se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi do të paraqesë kërkesë zyrtare tek autoritetet serbe që udhëheqësi i kësaj zyreje, Jetish Jashari, të mund të vizitojë Hasan Dakën dhe të njoftohet për trajtimin që po i bëhet nga organet serbe.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca theksoi se ky është një sinjal i rrezikshëm në vazhdën e ngjarjeve që tregojnë se autokracitë sot po sulmojnë nga të gjitha anët stabilitetin dhe paqen.

Ai theksoi se mungesa e ndëshkimit ndaj Serbisë po e rrit numrin e sulmeve mbi Kosovën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë