Politike

Arrestimi i Veliajt/ Rama: Burgosje pa gjyq e kryetarit të Bashkisë para zgjedhjeve, por SPAK nuk pati asnjë urgjencë për 21 janarin

Nga Gazeta ‘Si’ – Kryeministri Edi Rama e cilëson arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, si një burgosje pa gjyq, teksa sqaroi se Partia Socialiste nuk do të jetë zyrë avokatie e askujt.

Përmes një reagimi tjetër në rrjetet sociale, Rama u shpreh se gjykimi i Veliajt mund të vazhdonte në gjendje të lirë, pasi kryebashkiaku ka një kontratë me zgjedhësit.

Kreu i qeverisë theksoi se “askush nuk ka për të na tërhequr dot në debate politike për SPAKUN e për GJKKO, sepse mes nesh dhe kënetës është kufiri mes dy botëve; asaj të drejtësisë së re europiane që duam ne, me pavarësi të plotë nga pushteti politik e me standarte demokratike, dhe asaj të drejtësisë së vjetër vulgare që do bufi me kënetën e tij, me kontroll të plotë politik e me pazare si ato që e bënë këtë vend për 100 vjet mbretërinë e padrejtësisë”.

Sipas tij, SPAK po pret me urgjencë ‘kokën e Tiranës’ ndërsa prej 5 vitesh që nga krijimi i tij nuk ka dhënë drejtësi për 21 janarin.

“Këtë lloj debati do ta bëjmë në popull, në rrugën drejt 11 majit, në mbështetje të plotë të SPAK e GJKKO kundër korrupsionit dhe patjetër, pa heshtur për shqetësimet që krijohen nga gabimet apo fajet në raport me standartet ose fjala vjen nga fakti që befas, bëhet me urgjencë prerja e kokës së Tiranës kur kemi hyrë në zgjedhje, ndërsa pesë vjet nga krijimi i tij SPAKU s’ka asnjë urgjencë për të dhënë drejtësi për 21 janarin!

Ja kështu dhe përveç spektaklit të sharjeshpifjeve e të teorive idiote të konspiracionit në ato kanale, shërbejini pak edhe të vërtetës, duke kërkuar ku janë provat, a mjaftojnë a s’mjaftojnë, a janë a s’janë kushtet për burg pa gjyq e me radhë, por jo me partitë politike e aq më pak me kënetën opozitare”, shkroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë